Zjarri që ka përfshirë zonën pyjore të Qafë-Mollës, në Njësinë Administrative Zall-Bastar të Bashkisë Tiranë, vijon të jetë aktiv prej 10 ditësh. Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa paraprakisht dyshohet se janë djegur rreth 8 hektarë sipërfaqe pyjore me lisa dhe dushqe.
Terreni i vështirë malor ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse nga toka, duke e bërë më të vështirë izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit. Për të ndihmuar në përballimin e situatës është angazhuar edhe një helikopter.
Në terren po punojnë punonjës të Njësisë Administrative Zall-Bastar, të mbështetur edhe nga banorë të zonës, në përpjekje për të kontrolluar përhapjen e flakëve dhe për të shmangur dëme të tjera në zonën pyjore.

