Një turiste e huaj ka ndarë në rrjetet sociale një video dhe një dëshmi shqetësuese, duke pretenduar se është ngacmuar seksualisht nga një person në zonën e Bllokut, në Tiranë, gjatë orëve të para të mëngjesit.
Sipas rrëfimit të saj, ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 05:00. Ajo shprehet se po priste pranë një dyqani, i cili ishte caktuar si pikë takimi për një ekskursion që kishte rezervuar. Për shkak të një vonese të shkaktuar nga një postbllok policie, iu desh të priste rreth 45 minuta e vetme.
Gjatë kësaj kohe, sipas saj, një burrë me biçikletë kaloi disa herë pranë saj, duke e vështruar vazhdimisht. Në kalimet e fundit, ai nisi t'i fliste në shqip, duke i kërkuar marrëdhënie seksuale dhe duke bërë gjeste me përmbajtje seksuale.
Turistja thotë se i është përgjigjur vazhdimisht me "Jo" në anglisht dhe i ka kërkuar ta linte të qetë, por ai ka vazhduar ta ngacmonte. Vetëm me mbërritjen e guidës turistike ajo është larguar nga vendi.
Pas përfundimit të ekskursionit, ajo deklaron se iu drejtua policisë për të bërë kallëzim. Fillimisht, sipas saj, në një komisariat i thanë se nuk ishte institucioni kompetent dhe e orientuan drejt komisariatit përkatës. Edhe aty, pretendon se nuk arriti të depozitonte denoncimin, pasi iu komunikua se efektivët ishin të angazhuar me protestat dhe askush nuk mund të merrej me rastin e saj. Ajo shprehet se nuk u ndje e marrë seriozisht nga autoritetet.
Përmes publikimit të videos, turistja synon të paralajmërojë gratë dhe vajzat, veçanërisht ato që lëvizin vetëm gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit në zonën e Bllokut. Ajo shpreson që pamjet të ndihmojnë në identifikimin e personit dhe të shmangin që gra të tjera të përballen me të njëjtën situatë.

