Një vatër e madhe zjarri ka qenë aktive gjatë gjithë natës në zonën mes fshatrave Asim Zeneli dhe Saraqinisht, në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë vijuar pa ndërprerje operacionin për izolimin e flakëve. Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër, alarmi është dhënë në orën 22:50, kur është raportuar shpërthimi i zjarrit. Terreni i vështirë, i mbuluar me bimësi të dendur, shkurre dhe bar të thatë, ka vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve në terren. Në operacion janë angazhuar të gjitha forcat e MZSH Gjirokastër, ndërsa në ndihmë pritet të bashkohen edhe zjarrfikësit me kontratë të përkohshme dhe forcat vullnetare të Bashkisë. Autoritetet bëjnë me dije se situata mbetet serioze dhe puna për vënien nën kontroll të flakëve vijon me intensitet maksimal. Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet në zonën e prekur nga zjarri dhe të bashkëpunojnë me autoritetet deri në neutralizimin e plotë të vatrës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: gjirokaster zjarr

