Situatë kritike është paraqitur nga flakët në fshatin Vranisht të Bashkisë Himarë. Sipas raportimeve, zjarri me përmasa të mëdha ka shpërthyer gjatë orëve të fundit, duke vënë në rrezik disa banesa të zonës, ndërkohë e gjithë zona është mbuluar nga tymi. Në mbështetje të forcave zjarrfikëse të Bashkisë Himarë, të cilat vijojnë prej orësh përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit, është nisur edhe një helikopter i dytë, si dhe një avion tip Air Tractor. Mësohet se flakët, të favorizuara nga era, janë përhapur me shpejtësi në terren, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave në tokë. Për shkak të situatës, është kërkuar ndërhyrja nga ajri për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Sakaq, në ndihmë të zjarrfikësve të Himarës vijnë dhe zjarrfikësit e Vlorës.
