Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu Himarën të premten ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe në pasuri bujqësore. Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, deklaroi se ekipet e bashkisë ndodhen në terren për të evidentuar dëmet dhe për të nisur procedurat e kompensimit. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Fundit” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Tavo tha se situata ka qenë e rëndë, ndërsa zjarri është përballuar falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, strukturave të Ministrisë së Brendshme, Prefekturës së Vlorës dhe bashkive të tjera të qarkut. Kryebashkiaku falënderoi gjithashtu qytetarët e Himarës që u angazhuan në përballimin e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, 6 banesa janë dëmtuar nga zjarri. Tavo sqaroi se tre prej tyre janë djegur, ndërsa tre të tjera kanë qenë të pabanuara. Vetëm një prej banesave ka qenë e banuar në momentin e ngjarjes. Përveç banesave, dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në ullishte, përfshirë pemë të vjetra dhe shekullore. Zjarri ka prekur gjithashtu një park bletësh, ku një banor kishte rreth 40 koshere me bletë. Ai theksoi se Bashkia e Himarës do të përdorë fondet e saj për të përballuar kostot e dëmeve. Vlerësimi përfundimtar i dëmeve pritet të përfjë në ditët në vijim, pas verifikimeve në terren. “Situata ka qenë e rëndë. Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha. Është përballuar me ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses, nga Prefektura e Vlorës, na kanë ardhur ndihmë nga bashkitë e tjera të këtij qarku, strukturat e ministrisë së Brendshme. Po ashtu u angazhuan dhe qytetarë të Himarës, që dua t’i falënderoj. Sot jemi në terren për të evidentuar dëmet e krijuar nga zjarri i ditës së premte. Vlerësimi përfundimtar do të dalë në ditët e ardhshme, ku 3 banesa janë djegur dhe 3 banesa të tjera janë djegur, por kanë qenë të pabanuara. Ka dëme të konsiderueshme në ullishte, që kanë qenë të vjetër, shekullorë. Dëmi tjetër është te një park bletësh, ku një himarjot kishte 40 koshere me blete. Më pas do të procedojmë me mënyrën e riparimit dhe kthimin e banesave në gjendjen e mëparshëm dhe kompensimin e atyre banorëve të prekur nga djegia e ullishteve dhe frutoreve dhe atij qytetari që ka pasur koshere me bletë. Bashkia e Himarës ka fondet e veta që i përballon kostot. Askush nuk do të ngelet i pashdëmtuar nga kjo situatë. Bashkia ka peshën kryesore dhe mundësinë që ta bëjmë këtë gjë. Vetëm një banesë ka qenë e banuar me njerëz, të tjerat jo. Një familje është në emigracion, dhe një tjetër familje ka banuar brenda Himarës. Por do të kompensojmë deri në qindarkën e fundit për dëmet banorët.
Pse ra zjarri në Himarë? Kjo është çështje që merret policia dhe prokuroria. Nuk kemi një raport përfundimtar dhe nuk mund të shprehem pa pasur një hetim për këtë rast. Nuk e kam dijeni që mund të jetë e qëllimtë. Nëse një person vë një zjarr, dy janë mundësitë, ose i qëllimshëm, ose aksidental.”, tha Tavo. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Vangjel Tavo
