Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, por 4 vatra vijojnë të jenë aktive.
Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë ditës janë raportuar gjithsej 11 vatra zjarri, 7 prej të cilave janë tashmë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Vatra kryesore vijon të jetë ajo në Gojan–Gjegjan, Pukë, ku ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, operacioni ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në Gojan të Madh dhe Gojan të Vogël.
Një tjetër vatër aktive është raportuar në Shtanë–Tenë, Mirditë, ku po vijon puna e forcave zjarrfikëse, strukturave vendore, shërbimit pyjor dhe Forcave të Armatosura. Në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërhyrja vijon edhe në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 25 efektivë të MZSH-së, 5 forca të ADZM-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri dhe dy avionëve “Air Tractor”. Edhe këtu nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Shtuf të Mirditës, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Ndërkohë, në Dukat, zjarri është fikur pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe mbështetjes së Forcave të Armatosura dhe zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje. Edhe vatrat e raportuara në Dibër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet Ministria e Mbrojtjes

