Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë e FA-së, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Cikallesh, bashkia Kavajë, vijon puna për eliminimin e vatrave të mbetura, por situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Dajt dhe Priskë e Madhe, situata po mbahet në monitorim dhe nuk raportohet rrezik për banesat. Në Mallakastër, zjarri në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosh është aktualisht nën kontroll. Edhe situata në Koilaç–Greshicë/Hekal është vendosur nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Abaze, bashkia Krujë, zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, operacioni po mbështetet nga ajri me helikopter të Forcës Ajrore; në afërsi të vatrës nuk ka banesa dhe nuk paraqitet rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, zjarri vijon aktiv. Ndërhyrja e 2 helikopterëve të FA-së gjatë ditës së djeshme frenoi avancimin e flakëve dhe shmangu rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, ndër to në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe zonave të banuara. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet Ministria e Mbrojtjeszjarre

