Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë me dije se 727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Nufi deklaroi se në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Ministri shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivët e angazhuar në përballimin e situatës së zjarreve, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e tyre. “E kam të pamundur të mos përcjell respektin e pakufishëm për secilin prej tyre, si dhe për të gjithë efektivët e angazhuar që në fillim të verës në menaxhimin e zjarreve”, shkroi Nufi.
Ai theksoi se forcat operacionale përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën e qytetarëve, komunitetet dhe pasurinë natyrore të vendit.
“Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës”, u shpreh ministri. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

