Lajme Zone
Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 8 vatra aktive, operacione intensive në Dajt, Dibër, Lezhë dhe Shkodër
TeknologjiEuronews Albania

Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 8 vatra aktive, operacione intensive në Dajt, Dibër, Lezhë dhe Shkodër

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra nga të cilat vijojnë të jenë aktive, 8 nën mbikëqyrje, ndërsa 24 të fikura.

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra nga të cilat vijojnë të jenë aktive, 8 nën mbikëqyrje, ndërsa 24 të fikura. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 614 forca vendore dhe lokale, 355 efektivë të Forcave të Armatosura, 70 automjete zjarrfikëse vendore, si dhe mjete të FA. Gjithashtu, janë zhvilluar 4 operacione me helikopterë dhe një operacion me avion Air Tractor. “Në qarkun Tiranë, zjarri vijon të jetë aktiv në Malin e Dajtit, në një sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADM-së, 74 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe një autoambulancë, si dhe një avion Air Tractor. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Kryezi të Kavajës dhe në Malin e Bërzhitës janë nën mbikëqyrje. Në qarkun Dibër vijojnë aktive katër vatra, në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh të Matit, Qafën e Helmes në Fushë-Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh janë angazhuar 33 forca vendore, të mbështetura nga 37 efektivë të FA me 3 mjete dhe një autoambulancë, ndërsa në operacion ka marrë pjesë edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Për vatrat aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në qarkun Lezhë mbeten aktive vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Lezhës. Situata më intensive paraqitet në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë angazhuar 63 forca vendore dhe vullnetare dhe 132 efektivë të FA, me 7 mjete, 3 automjete zjarrfikëse dhe 2 autoambulanca. Në operacion ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Autoritetet bëjnë me dije se rreziku për banesat është shmangur. Në qarkun Elbasan vijon aktive vatra në Gurëshpatë, në njësinë administrative Polis të Librazhdit, ku po operojnë forcat e MZSH Librazhd. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në malin e Qukësit, Prrenjas, mbahet nën mbikëqyrje. Në qarkun Shkodër mbeten aktive tre vatra kryesore, në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, në Bardhaj–Myselim, Shkodër, dhe në malin e Tërbunit, Pukë. Në Bardhaj–Myselim janë angazhuar strukturat vendore dhe 58 efektivë të FA me mjete zjarrfikëse dhe autoambulancë, ndërsa ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Në Tërbun operojnë 46 forca vendore dhe policore dhe 42 efektivë të FA me 6 mjete dhe autoambulancë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat. Vatrat në Iballë dhe Bërdicë janë nën mbikëqyrje. Në qarkun Vlorë, vatra në Bolenë, Horë-Vranisht, Himarë, është nën mbikëqyrje nga forcat e MZSH Himarë. Ndërsa vatra e riaktivizuar në Kropisht, Selenicë, është deklaruar e fikur. Në qarkun Fier, vatrat në Peshtan dhe në Çërrilë, Mallakastër, janë nën mbikëqyrje nga forcat zjarrfikëse. Zjarri në Peshtan ka përfshirë një sipërfaqe me ullishta, ndërsa në Çërrilë vijon në një zonë me pyll me pisha, lis dhe shkurre. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit”, njofton Ministria e Mbrojtjes.