Siç gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha e pati paralajmëruar, pas mbledhjes urgjente të zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme për ngërçin e pagave në sistemin e drejtësisë, është publikuar edhe qëndrimi zyrtar i pjesëmarrësve. Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Përgjithshme bën të ditur se është dakordësuar vijimi i trajtimit të çështjes përmes instrumenteve ligjore, me synim zhbllokimin e situatës dhe garantimin e funksionimit normal të institucioneve të drejtësisë.
NJOFTIMI PËR MEDIAT – “Mbi mbledhjen lidhur me situatën e pagesave të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë
Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.
Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë”. Top Channel

