Lajme Zone
Zjarret në Shqipëri/ 25 vatra të raportuara, 9 mbeten aktive, angazhohen 167 ushtarakë, 3 helikopterë dhe 2 avionë
Të tjeraBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Zjarret në Shqipëri/ 25 vatra të raportuara, 9 mbeten aktive, angazhohen 167 ushtarakë, 3 helikopterë dhe 2 avionë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura janë aktualisht në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore. Në Dajt vijon puna për izolimin e vatrës nga forcat e MZSH-së dhe ADZM-së, me mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore. Ndërkohë, në Priskë të Madhe operojnë 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat. Në Drenie të Patosit, pas riaktivizimit të zjarrit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca të Policisë, shërbimit pyjor dhe vullnetarë, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Sot operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Situata mbetet aktive edhe në Krujë, ku operacionet vijojnë në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet ndërhyrja e 58 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, në bashkëpunim me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Nëmerçkë vijon puna e forcave të MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivëve të FA-së. Në malin Dhëmbel operojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit, ndërsa në mbështetje janë angazhuar edhe 30 efektivë ushtarakë. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM, vullnetarë, 50 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Për shkak të afërsisë së flakëve me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre, me qëllim mbrojtjen e komunitetit dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.

Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat e MZSH-së Devoll dhe Korçë, së bashku me shërbimin pyjor. Edhe këtu, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me fokus mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, kufizimin e përhapjes së flakëve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb