Një vatër zjarri është shfaqur këtë të mërkurë në Voskopojë, në zonën e njohur si “Antenat” ndërsa menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt zonës janë nisur dy mjete të shërbimit zjarrfikës, një automjet zjarrfikës dhe një mjet tip “pick-up” me efektivë për ndërhyrje. Në operacion janë angazhuar gjithashtu forca të Njësisë Administrative Voskopojë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor. Për shkak të terrenit të vështirë, automjeti zjarrfikës nuk ka mundur të afrohet pranë vatrës së zjarrit, ndërsa efektivët kanë vijuar lëvizjen në këmbë për të ndërhyrë në zonën e prekur. Sipas informacioneve paraprake, një pjesë e forcave ka nisur ndërhyrjen për izolimin e flakëve, ndërsa pjesa tjetër po i bashkohet operacionit. Pas rreth dy orë e gjysmë lufte me flakët, të gjitha vatrat e zjarrit janë shuar. Aktualisht konstatohet vetëm prani tymi brenda sipërfaqes së djegur, pa paraqitur rrezik për riaktivizim në këtë moment. Forcat operacionale kanë nisur tërheqjen nga terreni, ndërsa disa punonjës të Shërbimit Pyjor do të vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm si pasojë e erës. Sipërfaqja e përshkuar nga zjarri, e mbuluar kryesisht me shkurre dhe pisha të rralla, vlerësohet të jetë rreth 2 hektarë.
