Një vatër zjarri është shfaqur mëngjesin e sotëm në lagjen “15 Tetori” të Vlorës, në një zonë të mbuluar me pisha dhe shkurre, pranë banesave të qytetarëve. Flakët janë konstatuar në një terren me bimësi, ku rreziku i përhapjes është shtuar edhe për shkak të erës. Sipas dyshimeve paraprake, zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht për pastrimin e zonës nga barishtet dhe shkurret. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe po vijojnë punën për izolimin e vatrës dhe shuarjen e plotë të flakëve.
Kjo është vatra e dytë e zjarrit e evidentuar në të njëjtën zonë gjatë ditëve të fundit, duke rritur shqetësimin për përhapjen e zjarreve në hapësirat me bimësi pranë zonave të banuara. Autoritetet po monitorojnë situatën për të shmangur përkeqësimin e saj.

