Lajme Zone
Zjarr i madh në hotelin në Lungomare, gjashtë të lënduar! Shefi i zjarrfikësve: Ishte e pamundur të kalohej nga shkallët
EkonomiEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Zjarr i madh në hotelin në Lungomare, gjashtë të lënduar! Shefi i zjarrfikësve: Ishte e pamundur të kalohej nga shkallët

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu në orët e para të mëngjesit një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë të lënduar gjashtë persona.

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu në orët e para të mëngjesit një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë të lënduar gjashtë persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”. Sipas policisë, flakët nisën në ambientet e bar-restorantit në katin e parë të godinës dhe më pas rrezikuan të përhapeshin në katin e dytë, ku ndodhej hoteli. Drejtuesi i shuarjes së zjarrit në stacionin zjarrfikës të Vlorës, Luan Kapaj, e cilësoi situatën si një ndër ndërhyrjet e vështira për shërbimin zjarrfikës. “Ka qenë një zjarr me përmasa të mëdha në katin e parë të bar-restorantit. Pastaj zjarri desh u përhap edhe në katin e dytë ku ishte dhe hoteli”, tha Kapaj. Sipas tij, njoftimi i parë që mbërriti në shërbimin zjarrfikës ishte për një zjarr të vogël, por në momentin kur efektivët mbërritën në vendngjarje, i gjithë restoranti ishte përfshirë nga flakët. “Menjëherë drejtuesi i këtij ekipi ka kërkuar ndihmë nga kolegët që të vijnë forca dhe mjete shtesë për të përballuar situatën”, u shpreh ai. Kapaj tregoi se ndërhyrja u krye në dy drejtime: izolimi i flakëve për të parandaluar përhapjen në hotel dhe evakuimi i personave që ndodheshin në katin e dytë. Situata u komplikua nga temperaturat e larta dhe tymi i dendur, të cilët e bënë të pamundur kalimin e efektivëve përmes shkallëve të brendshme. “Temperaturat dhe tymi bënin të pamundur që efektivat të kalonin nëpërmjet kafazit të shkallëve për në katin e dytë. Kështu që banorët që ishin brenda e kishin të pamundur të dilnin nëpërmjet shkallëve”, deklaroi Kapaj. Disa prej personave të bllokuar në hotel kishin dalë në ballkone dhe, sipas drejtuesit të zjarrfikësve, fillimisht kishin tentuar të shpëtonin duke u hedhur nga godina. “Ne kemi vënë shkallët për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve të hotelit”, tha ai, duke vlerësuar se ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur nxjerrjen e personave nga godina pa dëmtime të tjera. Në fund, Kapaj iu bëri thirrje hoteleve, bareve dhe restoranteve që gjatë periudhës së ngarkuar të sezonit turistik të shtojnë masat e sigurisë ndaj zjarrit. “Duke punuar me orë të tëra, pajisjet janë të ngarkuara dhe mund të shkaktojnë zjarr. T’i mbajnë në mbikëqyrje, sepse zjarri shkakton dëme, ka edhe probleme te njerëzit apo dëme materiale të tjera”, apeloi ai.