Lajme Zone
“Zhvillim pozitiv”/ Macron: Nëse Britania dëshiron të rikthehet në BE, mirë se vini përsëri
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

“Zhvillim pozitiv”/ Macron: Nëse Britania dëshiron të rikthehet në BE, mirë se vini përsëri

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mirëpritur mundësinë që Mbretëria e Bashkuar të rikthehet në Bashkimin Evropian, pas deklaratave të Andy Burnham se Londra mund të shqyrtojë edhe anëtarësimin e plotë në BE. Macron tha se një kërkesë britanike për rikthim do të ishte lajm i mirë si për Britaninë, ashtu edhe për Evropën.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mirëpritur mundësinë që Mbretëria e Bashkuar të rikthehet në Bashkimin Evropian, pas deklaratave të Andy Burnham se Londra mund të shqyrtojë edhe anëtarësimin e plotë në BE. Macron tha se një kërkesë britanike për rikthim do të ishte lajm i mirë si për Britaninë, ashtu edhe për Evropën. “Mirë se vini përsëri”, tha Macron në anglisht gjatë një konference për shtyp në Madrid, ku ndodhej së bashku me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez.

Macron tha se nëse britanikët duan të rikthehen në BE dhe qeveria britanike lëviz në këtë drejtim, kjo do të ishte një zhvillim pozitiv. Ai vlerësoi gjithashtu deklaratat e Burnham, duke thënë se ai kishte treguar “guxim” në hapjen e debatit për të ardhmen e marrëdhënieve me Evropën.

Edhe Pedro Sánchez shprehu gatishmërinë e Spanjës për të mirëpritur çdo përpjekje të Mbretërisë së Bashkuar për t’u afruar me BE-në ose për t’u rikthyer në bllok.

Deklaratat e dy liderëve erdhën pas qëndrimit të Andy Burnham, i cili tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të rishikojë marrëdhënien afatgjatë me tregun evropian. Burnham ka deklaruar se Brexit-i “ka bërë më shumë dëm sesa dobi” dhe se vendi mund të shqyrtojë disa alternativa, nga ruajtja e marrëdhënies aktuale deri te rikthimi i plotë në BE.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se është në dorë të Mbretërisë së Bashkuar të përcaktojë se çfarë marrëdhënieje dëshiron me bllokun. Komisioni Evropian ka deklaruar se mbetet i hapur për diskutimin e opsioneve që mund të propozojë Londra.

Një nga mundësitë e diskutuara është afrimi me bashkimin doganor, ndërsa një tjetër është pjesëmarrja në tregun e vetëm evropian. Këto alternativa do të sillnin detyrime të ndryshme për Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë përafrimin me rregullat dhe politikat tregtare të BE-së.

Anëtarësimi në tregun e vetëm do të lidhej gjithashtu me katër liritë themelore të tregut evropian: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

Macron theksoi se Britania nuk mund të zgjedhë vetëm pjesët e marrëdhënies me BE-në që i përshtaten. “Nuk mund të zgjedhësh midis lirive të bashkimit”, tha ai, duke shtuar se nëse Britania dëshiron një marrëdhënie të tillë, duhet të jetë e gatshme të rikthehet.

Ndërkohë, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të zhvillojnë një samit në Bruksel në gjysmën e dytë të nëntorit, ku marrëdhëniet e ardhshme mes palëve do të jenë ndër çështjet kryesore të diskutimit.

Debati për një afrim të ri me BE-në zhvillohet më shumë se një dekadë pas referendumit të Brexit-it, i cili çoi në largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Top Channel