Lajme Zone
Zgjerimi i BE-së po ngadalësohet: Çfarë po ndodh pas dyerve të Brukselit?
PolitikëPamfleti

Zgjerimi i BE-së po ngadalësohet: Çfarë po ndodh pas dyerve të Brukselit?

Koha po mbaron. Mali i Zi mund të bëhet vendi i 28-të anëtar i BE-së që në vitin 2028, i ndjekur një vit më vonë nga Shqipëria. Moldavia, Ukraina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të mund të vijojnë në vitet pasuese.

Foto Pamfleti / Brukseli flet gjithnjë e më shumë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, por ritmi politik po ngadalësohet. Nga Ballkani Perëndimor te Ukraina dhe Moldavia, pengesa nuk janë vetëm reformat e vendeve kandidate, por edhe mungesa e vullnetit brenda vetë BE-së për të ndërmarrë ndryshimet që kërkon një Union me më shumë se 30 anëtarë. Sot, me gati një vit vonesë, Komisioni Evropian i Ursula von der Leyen do të paraqesë propozimin për rishikimin e politikës së zgjerimit. Synimi është përgatitja e Bashkimit Evropian për valën e anëtarësimeve që pritet në vitet e ardhshme, nga vendet e Ballkanit Perëndimor te Ukraina dhe Moldavia.

Koha po mbaron. Mali i Zi mund të bëhet vendi i 28-të anëtar i BE-së që në vitin 2028, i ndjekur një vit më vonë nga Shqipëria. Moldavia, Ukraina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të mund të vijojnë në vitet pasuese.

Por ky kalendar nuk merr parasysh luhatjet e qëndrimeve të liderëve kombëtarë, dhe aq më pak rritjen e skepticizmit te qytetarët e tyre. Disa diplomatë paralajmërojnë se BE-ja dhe shtetet anëtare po humbasin ndjenjën e urgjencës për zgjerimin.

Edhe rishikimi i politikës së paraanëtarësimit e dëshmon këtë. Paketa që pritet të paraqesë Komisioni duket më shumë e orientuar drejt mbrojtjes së shteteve aktuale anëtare nga anëtarët e rinj, sesa drejt dhënies së një shtyse vendimtare për një BE me 34 anëtarë.

BE-ja dëshiron të krijojë përshtypjen se procesi i zgjerimit ka rifilluar me ritëm të plotë. Propozimi për rishikimin e politikës së paraanëtarësimit pritet të diskutohet nga krerët e shteteve dhe qeverive në Këshillin Evropian të 15 -16 tetorit. Javën e kaluar, von der Leyen vizitoi Ballkanin Perëndimor, duke dhënë mesazhe inkurajuese jo vetëm për Malin e Zi dhe Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, premtoi gjatë vizitës së tij të fundit në Kiev se do të mbështesë përshpejtimin e procesit për Ukrainën. Edhe 13 tetori mund të shndërrohet në një tjetër “Super të martë” të zgjerimit, me 4 konferenca ndërqeveritare me Ukrainën dhe Moldavinë, për hapjen e dy grupeve kapitujsh negociues për secilin vend, si dhe me Malin e Zi dhe Shqipërinë, për mbylljen përkatësisht të tre kapitujve dhe një kapitulli negociues.

Sa herë e kanë përsëritur Ursula von der Leyen dhe António Costa se zgjerimi është “një imperativ gjeostrategjik” ose “investimi më i mirë që mund të bëjmë sot për të ardhmen”? Por pas fasadës së deklaratave dhe njoftimeve optimiste fshihet një realitet tjetër.

“Ndjenja e urgjencës për zgjerimin që ekzistonte pranverën e kaluar po zbehet…”, tha një diplomat evropian. Një tjetër parashikon se gjatë vjeshtës “nuk do të ndodhë asgjë serioze”. Në shtator nuk u hap apo u mbyll asnjë kapitull negociues me asnjë vend kandidat. Edhe diskutimi në Këshillin Evropian mund të kufizohet vetëm në marrjen dijeni të propozimeve të Komisionit për rishikimin e politikave të paraanëtarësimit.

Ajo që ka ndryshuar krahasuar me pranverën e kaluar është pozicioni i Ukrainës. Anëtarësimi i Kievit në BE ishte përfshirë në planin e paqes që administrata e Donald Trump po negocionte me Rusinë e Vladimir Putinit.

Për të mos lënë pas dore vendet e vjetra kandidate, në atë kuadër duhej të përfshiheshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot, as plani i paqes dhe as anëtarësimi i Ukrainës nuk janë më në qendër të axhendës. Kjo i jep BE-së mundësinë të shtyjë sërish vendimet e vështira. Përveç anëtarësimit të mundshëm të Malit të Zi dhe ndoshta Shqipërisë, një “zgjerim i gjerë dhe i shpejtë” duket “i përjashtuar”, thotë Sandro Gozi, eurodeputet i RENEë dhe raportues për reformat e brendshme të BE-së që nevojiten për përgatitjen e zgjerimit.

Kur Gozi flet për reforma, i referohet reformave brenda vetë BE-së. Në nëntor të vitit të kaluar, António Costa, presidenti i Këshillit Evropian, i kishte cilësuar ato si “detyrat e shtëpisë” që BE-ja nuk mund të vazhdojë t’i shtyjë.

Që në qershor 2025, Këshilli Evropian i kishte kërkuar Komisionit të paraqiste sa më shpejt propozimet e tij. Në tetor të po atij viti, edhe Parlamenti Evropian kërkoi reforma “ambicioze”. Megjithatë, propozimet që pritet të përfshihen në rishikimin e politikës së para-anëtarësimit duken shumë larg këtij objektivi.

Idetë më origjinale të Komisionit, si një proces i kundërt zgjerimi që do të mundësonte anëtarësim të menjëhershëm, por me të drejta të kufizuara dhe të revokueshme, janë lënë mënjanë. Pranverën e kaluar Komisioni kishte konsultuar ambasadorët e shteteve anëtare dhe ishte përballur me kundërshtim të fortë.

Ndërkohë, janë shfaqur propozime të reja që rrezikojnë të krijojnë një tjetër “dhomë pritjeje” për kandidatët, si ideja e statusit të “anëtarit të asociuar” për Ukrainën, e hedhur me nxitim nga Merz në pranverë.

Në dokumentin e KE, risia kryesore pritet të jetë e ashtuquajtura “integrim gradual” i vendeve kandidate. Ideja është që ato të mund të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga disa politika të BE-së edhe pa qenë ende zyrtarisht anëtare.

Qëllimi është t’u mundësohet vendeve kandidate të përballojnë më mirë presionet e jashtme dhe të bindin qytetarët e tyre të pranojnë reformat e brendshme, duke u dhënë akses në përfitimet e anëtarësimit në sektorë të caktuar të BE-së.

Është një ide “e dobishme”, thotë Gozi. Por integrimi gradual ka nisur tashmë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është ofruar mundësia të hyjnë në zonën unike të pagesave në euro, SEPA. Ukraina dhe Moldavia janë sinkronizuar me rrjetin elektrik të BE-së.

Disa analistë pyesin nëse kjo mund të ketë edhe efekt dekurajues: vendet kandidate mund të joshen drejt anëtarësimit në Zonën Ekonomike Evropiane, në vend të anëtarësimit të plotë në BE. Rishikimi i politikës së zgjerimit, duhet gjithashtu të shërbejë për të bindur qytetarët e BE-së për nevojën e zgjerimit të familjes evropiane.

Frika nga opinioni publik dhe nga referendumet e mundshme është gjithmonë e pranishme në institucionet e BE-së. Duke u mbështetur te përvoja e zgjerimit të madh të vitit 2004, Komisioni pritet të propozojë periudha tranzitore për vendet e reja anëtare në kuadër të Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe Politikës së Kohezionit.

Por vështirë se kjo do të mjaftojë për të bindur fermerët francezë se Ukraina nuk përbën kërcënim për ta. Traktati kushtetues i BE-së u rrëzua nga Franca në vitin 2005, pas një fushate ku një prej argumenteve kryesore ishte frika se “hidraulikët polakë” do t’u merrnin vendet e punës punëtorëve francezë.

Por përvoja e vitit 2004, duhet të shërbejë të paktën për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Transformimi i Hungarisë nga Viktor Orbáni në një regjim të demokracisë joliberale ka lënë gjurmë të thella.

Në rishikimin e politikës së para-anëtarësimit, Komisioni pritet të propozojë një klauzolë kundër “Kuajve të Trojës”, me mekanizma të rinj mbrojtës për të parandaluar dhe korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore.

Klauzola do të përfshihej në traktatet e anëtarësimit me vendet kandidate. Për një periudhë të caktuar, anëtarët e rinj do të hiqnin dorë nga përdorimi i vetos dhe do të angazhoheshin të pranonin një ulje të statusit të tyre në rast të shkeljeve sistematike të shtetit të së drejtës.

Sa i përket rishikimit të traktateve të BE-së, kjo mbetet ende një temë tabu. Komisioni do të kufizohet t’u kërkojë shteteve anëtare të përdorin fleksibilitetin që ofrojnë traktatet ekzistuese për proceset vendimmarrëse dhe funksionimin e institucioneve, si dhe të përdorin më shumë mekanizmin e bashkëpunimeve të përforcuara.

Pikërisht këtu qëndron problemi, sipas Sandro Gozit. “Çdo zgjerim në historinë e BE-së është paraprirë ose shoqëruar nga një reformë institucionale”, shpjegon eurodeputeti i RENEë. “Në kontekstin gjeopolitik në të cilin ndodhemi, një reformë është tani edhe më e nevojshme”, shton ai.

Fleksibiliteti “nuk do të jetë i mjaftueshëm pa reforma të synuara të traktateve për heqjen e vetos, buxhetin, kompetencat e Parlamentit dhe shtetin e së drejtës, të cilat duhet të vlejnë edhe për anëtarët aktualë”, paralajmëron Gozi.

Mes 27 vendeve anëtare ekziston një konsensus se, pa ndryshuar traktatet, BE-ja mund ta përballojë anëtarësimin e vendeve të vogla si Mali i Zi, Shqipëria dhe Moldavia. Por testi i vërtetë i zgjerimit është Ukraina, viktimë e një lufte agresioni pikërisht për shkak të dëshirës së saj për të qenë pjesë e familjes evropiane.

“Reformat e nevojshme për anëtarësimin e Ukrainës - institucionet, bujqësia dhe politika e kohezionit - e bëjnë çështjen e anëtarësimit shumë komplekse. Prandaj ajo do të shtyhet dhe do të shndërrohet në një çështje afatgjatë”, parashikon eurodeputeti italian.

“Nuk është ajo që dëshiroj, por është një vlerësim objektiv nëse nuk ka vullnet për të arritur tani një marrëveshje mbi reformat e rëndësishme”, përfn ai. Pra problemi i zgjerimit të BE-së nuk është vetëm se sa vende janë të gatshme të hyjnë në Union, por sa e gatshme është vetë BE-ja t’i pranojë ato.

Një Evropë me 34 anëtarë kërkon institucione të reja, rregulla të reja dhe një mënyrë tjetër vendimmarrjeje. Nëse këto reforma vazhdojnë të shtyhen, rreziku është që “urgjenca gjeostrategjike” e përmendur kaq shpesh të mbetet vetëm një slogan politik, ndërsa zgjerimi të kthehet sërish në një proces pa një afat të qartë./Përgatiti në shqip: Pamfletizgjerimi i be po ngadalësohet brukseli Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Ballkani nën ethet e armatimit: Nga Serbia te trekëndëshi Shqipëri-Kroaci-Kosovë 6 Tetor 2026, 12:0612:06Forum Zgjimi i vonë i PD-së për balotazhin, pse e prishi vetë? 5 Tetor 2026, 18:5418:54Forum Banka e Shqipërisë, “streha” e familjarëve të politikës; emrat dhe lidhjet 5 Tetor 2026, 17:4317:43Forum Pse flamingot e mbetura prishin koncertet? 4 Tetor 2026, 18:5118:51Forum Ben Blushi: Shqiptarët janë më shumë mesdhetarë sesa ballkanas 4 Tetor 2026, 16:2916:29Forum Pse kriza e qirave mund ta rrëzojë qeverinë Sánchez në Spanjë 4 Tetor 2026, 14:2614:26Forum