Sa herë afrohet një palë zgjedhje, duket se edhe pensionistët bëhen papritur një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë.
Këtë herë 'lajmin e mirë' e solli ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila njoftoi se nga 1 janari 2027 bonusi mujor për pensionistët do të dyfishohet për të gjitha kategoritë, ndërsa do të vijojë edhe indeksimi i pensioneve. Për këtë mbështetje janë parashikuar 22.4 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2030 pensioni i plotë të arrijë në të paktën 40 mijë lekë, ndërsa pensioni i pjesshëm në të paktën 22 mijë lekë.
Deri këtu, gjithçka tingëllon bukur.
Por ka një detaj që të bën të ndalosh pak: zgjedhjet vendore të vitit 2027 po afrohen.
Pra, pensionistëve u thuhet sot se nga janari i vitit elektoral do t’u dyfishohet bonusi mujor, ndërsa qeveria premton se deri në fund të mandatit pensionet do të rriten hap pas hapi.
Nuk është hera e parë që pensionistët bëhen pjesë e paketave të tilla financiare në periudha pranë zgjedhjeve. Edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, qeveria shpërndau bonuse për qindra mijëra pensionistë, masë që u kritikua nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile si një mënyrë për të ndikuar te një grup i madh votuesish.
Vetë qeveria, ndërkohë, e paraqet skemën si pjesë të një politike afatgjatë për rritjen e të ardhurave të pensionistëve. Në projektbuxhetin e vitit 2026 ajo kishte parashikuar një program që synon rritjen graduale të pensioneve deri në vitin 2030.
Kështu, pyetja që mbetet është: është thjesht një politikë sociale e planifikuar prej kohësh, apo pensionistëve po u kujtohet edhe një herë rëndësia e tyre pikërisht kur afrohet koha për të votuar?
Sepse në Shqipëri duket se pensionisti ka një tjetër privilegj: sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shumë shtohet kujdesi për të.
Tani mbetet të shohim nëse kjo “dashuri” për pensionistët do të zgjasë edhe pas zgjedhjeve, apo do të zhduket sapo të numërohet vota e fundit.

