Pjesëmarrje e lartë në zgjedhjet parlamentare në Izrael, ku qytetarët po vendosin nëse Benjamin Netanyahu do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet apo vendi do të ketë një qeveri të re. Deri në orën 20:00 me orën lokale kishin votuar 74,3% e zgjedhësve, ose 5.449.277 qytetarë, duke kaluar pjesëmarrjen përfundimtare prej 70,6% të zgjedhjeve të vitit 2022. Në orët e fundit të procesit, partia Likud e Netanyahut kërkoi zgjatjen e votimit përtej orës 22:00, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e refuzoi kërkesën. Qendrat do të mbyllen sipas orarit të parashikuar, në orën 21:00 me orën shqiptare. LEXO edhe...Izraeli drejt mbylljes së votimit, pjesëmarrja kalon 74%! Netanyahu kërkon zgjatjen e votimit, Komisioni e refuzon Gara është shoqëruar edhe me akuza për manipulim. Netanyahu ka pretenduar se po bëhen përpjekje për të vjedhur zgjedhjet, duke iu referuar arrestimit të tre personave që, sipas tij, kishin lidhje me partinë arabe Ra'am dhe ishin kapur me zarfe me para. “Po përpiqen të na vjedhin zgjedhjet”, deklaroi Netanyahu gjatë votimit në Jerusalem. Ai u bëri thirrje mbështetësve të Likudit të dilnin masivisht në votime, duke paralajmëruar se një fitore e opozitës me mbështetjen e partive arabe do të sillte “fundin e Izraelit siç e njohim deri më sot”. Partia Yashar e Gadi Eisenkotit i hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se kryeministri po përgatit terrenin për të kundërshtuar rezultatin në rast humbjeje. “Netanyahu është në panik dhe ka filluar të shpikë histori, duke pretenduar se zgjedhjet janë manipuluar. Nuk është rastësi. Ai po hedh që tani bazat për të kundërshtuar rezultatet zgjedhore”, deklaroi partia e Eisenkotit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se nuk ka prova për manipulime sistematike të fletëve të votimit, ndërsa denoncimet për raste të veçanta po shqyrtohen. Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve arabë ka nxitur thirrje për mobilizim nga aleatët e Netanyahut. Ministri i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, u kërkoi mbështetësve të votojnë, duke deklaruar: “Përqindjet e votimit në sektorin arab janë të çmendura. Mos i lini të fitojnë!” Ndërkohë, gjatë një aktiviteti elektoral në Tel Aviv, një burrë me thikë iu afrua Yair Golanit, drejtues i një prej partive të opozitës. Sipas partisë së tij, truprojat ndërhynë dhe policia e ndaloi personin. Kush mund ta formojë qeverinë? Sondazhet e publikuara përpara votimit nuk i jepnin asnjërit kamp 61 mandatet e nevojshme për shumicën parlamentare. Nëse kjo situatë konfirmohet nga rezultatet, partitë do të duhet të negociojnë për krijimin e qeverisë. Pas mbylljes së qendrave të votimit pritet të publikohen sondazhet e para në dalje, ndërsa një pjesë e votave të ushtarëve dhe rezervistëve do të numërohen të mërkurën. Ora 20:47 Izraeli drejt mbylljes së votimit, pjesëmarrja kalon 74%! Netanyahu kërkon zgjatjen e votimit, Komisioni e refuzon Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në 74,3%, duke kaluar shifrën përfundimtare të vitit 2022, kur votuan 70,6% e qytetarëve. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 20:00 me orën lokale kishin votuar mbi 5,4 milionë izraelitë, rreth 655 mijë më shumë se në të gjithë zgjedhjet e mëparshme.Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor ka refuzuar kërkesën e partisë Likud të Benjamin Netanyahut për zgjatjen e votimit. Qendrat do të mbyllen sipas planit, në orën 21:00 me orën shqiptare. Qytetarët që mbërrijnë përpara mbylljes do të lejohen të votojnë.Televizioni izraelit N12 raporton se njerëzit pranë Netanyahut po përgatisin një deklaratë për shpalljen e fitores nëse Likudi siguron më shumë mandate se çdo parti tjetër, edhe në rast se partitë e kampit të Gadi Eisenkotit marrin së bashku më shumë vende në parlament.Në këtë rast, të dy rivalët pritet të kërkojnë të drejtën për formimin e qeverisë. Vendimin e merr presidenti izraelit Isaac Herzog, pasi dëgjon rekomandimet e partive parlamentare dhe vlerëson se kush ka më shumë mundësi të krijojë shumicën. Share Ora 18:17 Izraelitët në votime, rritet pjesëmarrja edhe në rradhët e ushtrisë! Ushtarët presin mbi 2 orë për të hedhur votën Pjesëmarrja e ushtarëve izraelitë në zgjedhjet parlamentare ka arritur në 68%, nga 65% që ishte në të njëjtën orë në zgjedhjet e mëparshme.Sipas Komisionit Zgjedhor, deri në orën 17:00 kishin votuar 68% e ushtarëve izraelitë, tre pikë përqindjeje më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.Në një bazë ushtarake në veri të Izraelit, ushtarët kanë raportuar pritje mbi dy orë për të votuar. Për këtë arsye, autoritetet kanë hapur një qendër shtesë votimi.Në bazat e ushtrisë izraelite janë ngritur mbi 850 qendra të përhershme votimi, si dhe qendra të lëvizshme për ushtarët që ndodhen në terren. Share Ora 17:58 'Është çështje jete a vdekjeje' Netanyahu kërkon vota në orët e fundit të zgjedhjeve në Izrael! Paralajmëron kryebashkiakët: E djathta mund të humbasë Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe aleati i tij, ministri i Financave Bezalel Smotrich, kanë mbledhur dhjetëra drejtues vendorë për të nxitur pjesëmarrjen e votuesve të djathtë në orët e fundit të zgjedhjeve parlamentare.Netanyahu dhe Smotrich u kanë kërkuar kryebashkiakëve dhe drejtuesve të këshillave vendorë të mobilizojnë qytetarët për të votuar. Sipas medias izraelite “Arutz Sheva”, gjatë takimit ata kanë paralajmëruar se kampi i djathtë mund t'i humbasë zgjedhjet.Ndërkohë, Netanyahu ka publikuar disa mesazhe në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje izraelitëve të votojnë për partinë e tij, Likud.“Kanë mbetur katër orë për të shpëtuar Izraelin. Duhet të shkoni të votoni për Likudin, është çështje jete a vdekjeje”, shkroi kryeministri.Në një tjetër mesazh, duke treguar nga telefoni pamje të arabëve izraelitë, ai deklaroi: “Në zonën time zgjedhore tashmë po festojnë. Duhet t'i ndalim, shkoni të votoni menjëherë”. Share Ora 17:23 Zgjedhjet në Izrael/ Netanyahu kërkon të shtyhet orari i votimit përtej orës 22:00, Eisenkot kundërshton! Pjesëmarrje e ulët në zonat që mbështesin kryeministrin Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe një përfaqësues ultraortodoks kanë kërkuar që votimi në zgjedhjet parlamentare të zgjatet përtej orës 22:00, por kërkesa ka hasur në kundërshtimin e rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot. Kjo ndodh në një kohë kur pjesëmarrja në disa prej zonave që tradicionalisht mbështesin Netanyahun është më e ulët se mesatarja kombëtare.Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00 me orën lokale, pjesëmarrja në nivel kombëtar kishte arritur në 55,7%, ndërsa në disa qytete që konsiderohen bastione të partisë Likud të Netanyahut shifrat ishin më të ulëta.Në Afula kishin votuar 51% e zgjedhësve, në Ashkelon 49%, në Migdal HaEmek 50%, në Bat Yam 40%, në Tiberias 47% dhe në Holon 49%.Ndërkohë, përplasja mes Netanyahut dhe Eisenkotit ka vijuar edhe përmes deklaratave publike. Kryeministri, gjatë një interviste për radion Kol Barama, tha se Izraeli ndodhet “në prag të rrënimit”, ndërsa Eisenkot e akuzoi se po përpiqet të përhapë panik për të nxitur mbështetësit e tij të votojnë. Share Ora 16:51 Zgjedhjet në Izrael/ Pjesëmarrja e votuesve arabë mund të arrijë në 70%! Partitë e tyre mund të vendosin kush do të formojë qeverinë Votuesit arabë mund të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, ku gara mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, mbetet e ngushtë. Sipas parashikimeve të sondazhistëve të raportuara nga CNN, pjesëmarrja e qytetarëve arabë mund të arrijë në 70%, nga pak më shumë se 50% që ishte në zgjedhjet e vitit 2022.Kjo rritje e mundshme e pjesëmarrjes merr rëndësi të veçantë pasi as Netanyahu dhe as Eisenkot nuk duket se kanë një rrugë të qartë për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë së ardhshme.Në këto kushte, dy partitë kryesore me shumicë arabe, Ra'am e Mansour Abbasit dhe Lista e Përbashkët e Yousef Jabareenit, mund të kenë një rol vendimtar në krijimin e shumicës.Megjithëse partitë kryesore izraelite kanë përjashtuar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me to, sipas CNN, partitë arabe mund ta mbështesin Eisenkotin nga jashtë koalicionit, duke i siguruar numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.Në fillim të këtij muaji, drejtuesi i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, deklaroi se partia e tij ishte e gatshme të shërbente si një “rrjet sigurie” për të larguar Netanyahun nga pushteti.Ndërkohë, pasi votoi sot, drejtuesi i partisë Ra'am, Mansour Abbas, u bëri thirrje qytetarëve arabë të ushtrojnë të drejtën e votës.“Kjo është thelbësore për të ndryshuar situatën tonë dhe për të përballuar problemet me të cilat ndeshemi si komunitet arab, si dhuna, kriminaliteti, shembja e banesave, gjobat, racizmi dhe nxitja e urrejtjes. Vota është një mjet i rëndësishëm për të ndryshuar situatën politike. Një qeveri që ka ardhur në pushtet përmes votës mund të largohet po përmes votës”, deklaroi Abbas. Share Ora 16:45 Zgjedhjet në Izrael/ Eisenkot zotohet para varrit të të birit: Do ta bashkojmë vendin dhe do t’i fitojmë luftërat Gadi Eisenkot, rivali kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, ka vizituar varrin e djalit të tij përpara se të votonte, duke premtuar se do ta bashkojë vendin dhe do t'i fitojë luftërat.Drejtuesi i partisë së djathtë Yashar dhe ish-shefi i ushtrisë izraelite shkoi në varrezat ushtarake të Herzliyas, ku prehet djali i tij, Gal, i vrarë në luftime më 7 dhjetor 2023.Eisenkot vizitoi gjithashtu dy zona në jug të Izraelit, të goditura gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai kujtoi nisjen e operacionit tokësor izraelit në Gaza, tre vjet më parë, si dhe ushtarët që humbën jetën apo u kthyen të plagosur nga lufta.“Përpara se të votoja sot, shkova te varri i djalit tim të dashur, Gal. E kujtoj mirë atë moment, mendimin dhe vendimin e rëndë për forcat tona që niseshin drejt një misioni të rëndësishëm dhe të drejtë, duke e ditur se shumë prej tyre nuk do të ktheheshin. Shumë të tjerë do të ktheheshin ndryshe, të plagosur në trup dhe në shpirt. Ndryshimi që do t'i sjellim sot popullit të Izraelit është i nevojshëm, vendimtar dhe historik. Ndryshimi duhet të ndodhë. Vetëm me të dhe me besimin tuaj do ta kthejmë Izraelin në drejtimin e duhur. Ndiej peshën e përgjegjësisë së madhe që kemi, për të qenë të denjë për ata që ranë, për sakrificën e tyre dhe jetën që lanë pas, si dhe për shtetin që u premtojmë vetes dhe brezave të ardhshëm. Angazhohem ta bashkoj sërish Izraelin, t'i fitoj luftërat dhe t'i garantoj siguri këtij populli të jashtëzakonshëm. Ky është misioni i jetës sime”, deklaroi Eisenkot.Ish-shefi i ushtrisë izraelite ka qenë pjesë e kabinetit të luftës nga 12 tetori 2023 deri në qershor 2024. Share Ora 16:42 Zgjedhjet në Izrael/ Forcohet monedha izraelite, shekeli arrin nivelin më të lartë ndaj dollarit në 3 javët e fundit Monedha izraelite, shekeli, është forcuar me mbi 1,2% ndaj dollarit amerikan, në një kohë kur Izraeli po regjistron pjesëmarrje rekord në zgjedhjet parlamentare. Një dollar po këmbehet me 3,0419 shekelë, niveli më i lartë i monedhës izraelite që prej 6 tetorit, pra në tre javët e fundit. Share Ora 16:39 Zgjedhjet në Izrael/ Pjesëmarrje rekord në 50 vitet e fundit! Deri në orën 16:00 kanë votuar 55,7% e qytetarëve Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në 55,7% deri në orën 16:00 me orën lokale, duke shënuar një rekord për 50 vitet e fundit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2022 kishin votuar 47,5% e qytetarëve. Të dhënat e reja konfirmojnë pjesëmarrjen rekord në votimet për parlamentin izraelit, Knesset. Share U.D/ReportTv.al Gadi Eisenkot Benjamin Netanyahu zgjedhjet ne Izrael Komento Komente Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 75.2% Jo 21.7% Nuk e di 3.1% Vota total: 2843 Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?
