Lajme Zone
Zgjedhjet në Bosnje nën vëzhgimin e figurave të afërta me Kremlinin
BotëReport TV

Zgjedhjet në Bosnje nën vëzhgimin e figurave të afërta me Kremlinin

Për ndikimin rus në rajon u diskutua së voni edhe gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, ndërsa OSBE-ja paralajmëroi se gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve në Bosnje dhe Hercegovinë do t’i kushtojë vëmendje edhe ndërhyrjes së mundshme të huaj dhe dezinformimit.

Një senatore nën sanksionet e Perëndimit dhe një ish-oficer i shërbimit të inteligjencës ushtarake, GRU, do të jenë në mesin e vëzhguesve rusë në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë, të caktuara për 4 tetor, mëson Radio Evropa e Lirë. Bëhet fjalë për Elena Afanasevën, senatore nga rajoni i Orenburgut, e cila është sanksionuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, pasi mbështeti njohjen nga Rusia të territoreve separatiste në Ukrainë. LEXO edhe...'Edhe ish-armiqtë mund të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët', Marta Kos viziton Srebrenicën: Ballkani Perëndimor e meriton këtë rrugë Për zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë do të udhëtojë edhe Aleksej Kondratjev, i cili, sipas një hulumtimi të mëhershëm të Radios Evropa e Lirë, lidhet edhe me Redutin - një organizatë private ushtarake ruse, që përfshin së paku 20 formacione të ndryshme të armatosura dhe që është e lidhur ngushtë me GRU-në. Të dy janë në mesin e pesë personave të propozuar për vëzhgimin e zgjedhjeve nga Këshilli i Federatës Ruse - Dhoma e Lartë e Parlamentit rus - i kryesuar nga Valentina Matvijenko. Ajo ndodhet, po ashtu, nën sanksione amerikane dhe evropiane që nga viti 2014, për shkak të mbështetjes së politikës ruse ndaj Ukrainës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje dhe Hercegovinës miratoi gjithsej 20 vëzhgues rusë për zgjedhjet e caktuara për tetor, prej të cilëve 15 janë akredituar me kërkesë të Ambasadës së Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Pesë vëzhgues të tjerë janë propozuar nga Këshilli i Federatës Ruse. Përveç Afanasevës dhe Kondratjevit, në mesin e tyre janë edhe Vasilij Popov, Ana Kocherova dhe Vladimir Morozov. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të aparatit politik dhe të sigurisë së Rusisë në vëzhgimin e zgjedhjeve në Bosnje dhe Hercegovinë vjen në një kohë kur institucionet amerikane dhe evropiane paralajmërojnë për aktivitete të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Për ndikimin rus në rajon u diskutua së voni edhe gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, ndërsa OSBE-ja paralajmëroi se gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve në Bosnje dhe Hercegovinë do t’i kushtojë vëmendje edhe ndërhyrjes së mundshme të huaj dhe dezinformimit. Ish-anëtari i KQZ-së dhe anëtari i organizatës “Pod lupom”, e cila monitoron zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë, Vehid Shehiq, thotë se kërkesa e Rusisë për dërgimin e vëzhguesve në zgjedhje, është pjesë e procedurave të zakonshme, por se përbërja e delegacionit rus të këtij viti është e pazakontë. “Natyrisht, nuk mund të pohojmë asgjë pa asnjë rezervë, por fakt është se përzgjedhja është e pazakontë”, thotë Shehiq për Radion Evropa e Lirë. Senatorja nën sanksione Elena Vladimirovna Afanaseva ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga marsi i vitit 2022. Ajo u sanksionua pasi, si anëtare e Këshillit të Federatës, votoi për ratifikimin e marrëveshjeve të Rusisë me të vetëshpallurat Republikë Popullore e Donjeckut dhe Republikë Popullore e Luhanskut. Sipas arsyetimit të BE-së, bëhej fjalë për vendime që cenonin integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Për të njëjtën arsye, ndaj saj u vendosën sanksione edhe në Britaninë e Madhe, ndërsa në shtator të vitit 2022, Departamenti amerikan i Thesarit e përfshiu në listën e personave të sanksionuar. Viteve të fundit, Afanaseva ishte e përfshirë edhe në kontaktet e Rusisë me zyrtarë të Serbisë dhe të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska. Disa muaj para zgjedhjeve në Bosnje dhe Hercegovinë, ajo mori pjesë edhe në një tryezë të rrumbullakët në Moskë me deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, nga partitë në pushtet dhe opozitë. Sipas raportimeve ruse për takimin, u diskutua për luftën e shkuar në Bosnje dhe Hercegovinë, “krimet kundër serbëve”, si dhe për rezultatet dhe pasojat e Marrëveshjes së Dejtonit. Takimi në Moskë është një nga shembujt që dëshmojnë për marrëdhëniet e afërta politike të zyrtarëve të entitetit të Republikës Sërpska me Moskën, të cilat kanë vazhduar edhe gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Megjithëse Bosnje dhe Hercegovina formalisht i është bashkuar shumicës së sanksioneve që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë, ato nuk janë zbatuar asnjëherë, për shkak të kundërshtimit të politikanëve nga Republika Sërpska në institucionet shtetërore. Ish-pjesëtari i GRU-së i lidhur me Redutin Në mesin e vëzhguesve të zgjedhjeve në tetor pritet të jetë edhe Aleksej Kondratjev, senator rus që aktualisht përfaqëson rajonin e Tambovit dhe është anëtar i Komitetit për Çështje Ndërkombëtare të Këshillit të Federatës. Sipas biografisë së tij të publikuar, Kondratjev ka shërbyer nga viti 1998 deri më 2010 në njësitë e forcave speciale të GRU-së - shërbimit rus të inteligjencës ushtarake. Ai ka qenë zëvendëskomandant i Brigadës së 16-të të Veçantë të Forcave Speciale të GRU-së dhe ka arritur gradën e kolonelit. Ka marrë pjesë në luftërat në Çeçeni dhe në operacionin paqeruajtës rus në Kosovë. Sipas një hulumtimi të Shërbimit rus dhe atij ukrainas të Radios Evropa e Lirë, pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kondratjev i është rikthyer karrierës ushtarake dhe ka marrë komandën e brigadës vullnetare kozake Don. Në vitin 2023, kjo brigadë është bërë pjesë e të ashtuquajturit Korpus Vullnetar i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, së bashku me formacione të tjera që më herët kanë vepruar përmes rrjetit Redut. Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë, i publikuar në tetor të vitit 2023, konstatoi se GRU-ja kishte rol kyç në krijimin dhe funksionimin e Redutit - një rrjet që përfshin së paku 20 formacione të ndryshme të armatosura dhe shërben për rekrutimin e njerëzve për luftën në Ukrainë. Sipas këtij hulumtimi, në mesin e personave që drejtonin sistemin Redut, ishte edhe Kondratjev, së bashku me zëvendësshefin e GRU-së, Vladimir Aleksejev, dhe kolonelin e Shtabit të Përgjithshëm, Sergej Drozdov. Në shkurt të vitit 2023, Kondratjev mori pjesë edhe në kongresin e Unionit të Vullnetarëve të Donbasit në Mariupolin e pushtuar, në Ukrainë, ku u paralajmërua formimi i Korpusit Vullnetar. Në fotografitë nga kjo ngjarje, hulumtuesit e identifikuan atë së bashku me Vladimir Aleksejevin, zëvendësshefin e GRU-së. Kush janë vëzhguesit tjerë nga Rusia? Përveç Afanasevës dhe Kondratjevit, në mesin e kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Federatës është edhe senatorja nga rajoni i Belgorodit, Anna Kocherova. Para se të bëhej pjesë e Këshillit të Federatës, ajo drejtonte degën rajonale të fondit shtetëror “Mbrojtësit e Atdheut”, i cili ndihmon ushtarët rusë dhe familjet e tyre. Ajo hyri në Këshillin e Federatës vitin e kaluar, pasi u zgjodh në Dumën rajonale të Belgorodit nga lista e Rusisë së Bashkuar - partisë së presidentit rus, Vladimir Putin. Sa u përket Vasilij Popovit dhe Vladimir Morozovit, të cilët po ashtu janë në listën e Këshillit të Federatës Ruse dhe janë miratuar nga KQZ-ja e Bosnje dhe Hercegovinës për vëzhgimin e zgjedhjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte se çfarë funksionesh mbajnë. Mbi 700 vëzhgues në zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë Zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë pritet të monitorohen nga rreth 730 vëzhgues, të cilëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua miraton akreditimet. Në mesin e tyre janë edhe vëzhgues të OSBE/ODIHR-it dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. I pyetur për vëzhguesit rusë dhe misionet vëzhguese me lidhje politike, një përfaqësues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nuk deshi të komentonte raste të veçanta. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se secili mision ka karakteristikat e veta dhe se Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk ka një qëndrim të vetëm për të gjitha nismat e tilla. Megjithatë, ai theksoi se OSBE-ja zbaton të njëjtën metodologji në të gjitha vendet, bazuar në standardet e dakorduara nga shtetet anëtare të organizatës, dhe se qëndrueshmëria, transparenca dhe paanshmëria janë elemente kyç të një vëzhgimi të besueshëm ndërkombëtar të zgjedhjeve. “Është e rëndësishme që metodologjia e përdorur nga misionet vëzhguese të analizohet në mënyrë të pavarur dhe të kujdesshme dhe, mbi këtë bazë, të vlerësohet legjitimiteti i tyre”, tha ai. Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje për rolin e vëzhguesve rusë në Bosnje dhe Hercegovinë edhe te Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje. OSBE-ja nuk është ftuar për t’i vëzhguar zgjedhjet parlamentare të këtij viti në Rusi. Organizata e ka cilësuar këtë si pjesë të një modeli më të gjerë të shpërfilljes së transparencës, llogaridhënies demokratike dhe sundimit të ligjit. Vëzhgues nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia në zgjedhjet ruse Ndërsa vëzhguesit rusë do t’i monitorojnë zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë, në zgjedhjet e këtij viti për Dumën Shtetërore të Federatës Ruse morën pjesë një numër i madh vëzhguesish ndërkombëtarë, mes tyre edhe përfaqësues nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia. Një medium rus nga rajoni i Tomskut raportoi se tetë ekspertë të huaj nga Bosnje dhe Hercegovina, Kamboxhia, Kenia, Serbia dhe Uzbekistani monitoruan zgjedhjet për Dumën Shtetërore dhe për parlamentin rajonal të Tomskut. Një nga vëzhguesit nga Bosnje dhe Hercegovina ishte Danijell Simiç, gazetar i Radio-Televizionit të Republikës Sërpska. Pas përfundimit të votimit në rajonin e Tomskut, Simiç publikoi një koment në rrjetin social X, në të cilin i përshkroi pozitivisht zgjedhjet ruse, ndërsa Rusinë e quajti “fener të arsyes”. Milan Damnjanoviç, anëtar i Partisë Fshatare Serbe, ishte vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhjet ruse në shtator të vitit 2026 dhe, sipas një videoje që e siguroi Radio Evropa e Lirë, ai i monitoroi zgjedhjet në territoret e pushtuara të Ukrainës. Damnjanoviç aty prezantohet si vëzhgues ndërkombëtar në Mariupol dhe thotë se do të monitorojë nëse zgjedhjet zhvillohen në rregull. Vehid Shehiç, përfaqësues i organizatës “Pod lupom”, e cila monitoron zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e befason shkuarja e vëzhguesve nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina në territoret e pushtuara të Ukrainës. “Nëse vullnetarët kanë shkuar në luftë, dhe kemi raporte se kanë shkuar dhe kanë qenë nën komandën e ushtrisë ruse, atëherë mund të shkojnë edhe vëzhguesit. Fatkeqësisht, po jetojmë në një ‘normalitet të ri’”, thotë ai. Sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, këtë vit në mesin e pjesëmarrësve serbë në misionin rus të vëzhgimit ishte edhe Aleksandar Vulin, ish-shef i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), i cili ndodhet nën sanksionet e SHBA-së, pikërisht për shkak të lidhjeve me Moskën. Në mesin e vëzhguesve serbë të zgjedhjeve ruse ishin përfaqësues të Partisë Përparimtare Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq, Lëvizjes së Socialistëve të Aleksandar Vulinit, Partisë Popullore Serbe, lëvizjes “Ne - Zëri i Popullit” dhe shoqatës “Fronti Serbo-Rus”. Përveç tyre, disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare ruse, nënkryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, Marko Jankoviq, të cilin agjencia ruse TASS e prezantoi edhe si vëzhgues ndërkombëtar të zgjedhjeve, mori pjesë në Moskë në një forum të organizuar nga organizata ruse ANO Dialog Regions. Kjo organizatë është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve me operacionet ruse të ndikimit dhe dezinformimit, ndërsa BE-ja e sanksionoi në vitin 2026 drejtorin e saj, Vladimir Tabak. Serbia pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare në fund të tetorit, ndërsa informacionet për misionet ndërkombëtare të vëzhgimit nuk janë publikuar ende. Në ciklet e mëparshme zgjedhore, në mesin e vëzhguesve kishte edhe zyrtarë rusë, të cilët e vlerësuan pozitivisht procesin e votimit, ndërsa misionet ndërkombëtare të udhëhequra nga OSBE/ODIHR-i, në raportet e tyre, evidentuan probleme gjatë procesit zgjedhor./ REL R.Xh/ReportTv.al Bosnje Hercegovina zgjedhje Kremlin Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 59.9% Jo 31.8% Disi 8.3% Vota total: 192 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?