Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 29 nëntor, duke vendosur shpërndarjen e Parlamentit nëntë muaj para përfundimit të mandatit. Vendimi u bë i ditur nga Sánchez gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën në mëngjes nga Pallati Moncloa, pas një fundjave konsultimesh me anëtarët e qeverisë, drejtuesit e Partisë Socialiste dhe partnerët politikë.
Shkak për thirrjen e zgjedhjeve u bë edhe refuzimi në Parlament, të premten e kaluar, i dy dekreteve për strehimin të propozuara nga qeveria. Masat ishin hartuar në përgjigje të reagimit të gjerë shoqëror pas dëbimit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal në Madrid.
— EL PAÍS (@el_pais) October 5, 2026 Refuzimi i masave shkaktoi protesta në disa qytete të Spanjës, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë gjatë fundjavës, duke kërkuar zgjidhje për krizën e strehimit.
Sánchez pranoi se qeveria e tij kishte bërë gabime dhe nuk kishte arritur të realizonte gjithçka që kishte planifikuar. Megjithatë, ai u bëri thirrje spanjollëve të zgjedhin mes asaj që e cilësoi si “valë të së djathtës ekstreme” dhe një “shumice progresive më të gjerë”.
Kryeministri spanjoll mbrojti gjithashtu bilancin e qeverisë së tij, duke përmendur progresin në energjinë e rinovueshme, të drejtat sociale dhe reduktimin e pabarazive.
Gjatë fjalimit, Sánchez tha se qeveria ishte përballur me kriza të paprecedenta, përfshirë luftëra dhe trazira gjeopolitike. Ai deklaroi se kishte “luftuar kundër tiranëve, tekno-oligarkëve dhe regjimeve që kryen gjenocid”.
Në të njëjtën kohë, Sánchez sulmoi opozitën e përbërë nga PP dhe Vox, duke e cilësuar atë si “opozitën më të keqe të mundshme” dhe duke akuzuar këto parti se kanë vënë në pikëpyetje edhe legjitimitetin e tij si kryeministër.
Me vendimin e ri, spanjollët do t’u drejtohen kutive të votimit më 29 nëntor për të përcaktuar përbërjen e ardhshme të Parlamentit dhe qeverinë e vendit. Top Channel

