KLP Këshilli i Lartë i Prokurorisë arriti të siguronte kuorumin pas katër mbledhjeve të dështuara, por ngërçi nuk u zgjidh. Nga katër kërkesa për përjashtimin e anëtarëve, KLP arriti të vendoste vetëm për njërën, ndërsa mbledhja u shty sërish. Zinxhiri i kërkesave për konflikt interesi po mban të bllokuar procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Prokurorisë arriti të mërkurën të siguronte kuorumin e nevojshëm, por jo të zhbllokonte procesin që po mban peng garën për drejtuesin e ri të organit të akuzës. Pas rreth tre orësh diskutime, KLP arriti të marrë vendim vetëm për një nga katër kërkesat për përjashtim që kanë futur institucionin në një spirale konfliktesh procedurale mes anëtarëve.
Mbledhja kishte në qendër kërkesën e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjetërnikaj, për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedura e përzgjedhjes së kandidatëve, me pretendimin se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.
Por kërkesa e Pjetërnikajt ka prodhuar një zinxhir kërkesash të tjera mes vetë anëtarëve të KLP-së, duke e larguar Këshillin nga çështja kryesore: vijimi i procedurës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në mbledhjen e së mërkurës ishte i pranishëm edhe anëtari Erion Fejzulla, i cili në seancën e mëparshme ishte larguar me argumentin se nuk donte të bëhej pjesë e një vendimmarrjeje që e konsideronte të paligjshme. Këtë herë, Fejzulla deklaroi se ishte paraqitur për të mundësuar krijimin e kuorumit dhe vijimin e procesit.
Pas rreth tre orësh, Këshilli arriti të vendoste vetëm që kryetarja Mirela Bogdani të mos merrte pjesë në shqyrtimin e kërkesës së anëtarit Zeqir Hoda për përjashtimin e Sokol Stojanit nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt për Vatë Stakën. Vendimi u mor me katër vota pro dhe tre kundër.
Për kërkesat e tjera nuk pati një vendimmarrje përfundimtare. Mbledhja u shty sërish, këtë herë për të enjten në orën 10:00.
Një kërkesë solli një zinxhir përjashtimesh
Situata në KLP është komplikuar pas kërkesës së Ylli Pjetërnikajt për përjashtimin e Vatë Stakës. Prej saj ka nisur një seri kërkesash mes anëtarëve që tashmë po pengojnë shqyrtimin e vetë çështjes fillestare.
Staka kërkoi përjashtimin e Zeqir Hodës; Hoda kërkoi përjashtimin e Sokol Stojanit, ndërsa Stojani kërkoi përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.
Të mërkurën, Hoda paraqiti argumentet për përjashtimin e Stojanit nga shqyrtimi i kërkesës së Stakës, por edhe një kërkesë të dytë që Stojani të përjashtohej nga shqyrtimi i kërkesës së kandidatit Pjetërnikaj.
Sipas Hodës, Stojani ka mbajtur qëndrim lidhur me verifikimin e Vatë Stakës në vitin 2019, kur ushtronte funksion në Prokurorinë e Përgjithshme. Për Hodën, kjo rrethanë e vendos Stojanin në kushtet e konfliktit të interesit për shqyrtimin e kërkesës së Pjetërnikajt.
Stojani e kundërshtoi këtë argument, duke deklaruar se në atë periudhë kishte qenë drejtor në Prokurorinë e Përgjithshme dhe trajtimi i rastit i ishte ngarkuar si detyrë në kuadër të funksionit që ushtronte.
Paraqitja e kërkesës së re solli kërkesa nga disa prej anëtarëve për më shumë kohë për shqyrtimin e saj, duke çuar edhe një herë në shtyrjen e mbledhjes.
Gara për Kryeprokuror mbetet në pritje
Përplasja procedurale merr një peshë edhe më të madhe për shkak se zhvillohet ndërsa KLP duhet të avancojë me një prej proceseve më të rëndësishme që ka në dorë: përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.
Vetë anëtarët e Këshillit, gjatë katër mbledhjeve të mëparshme të dështuara për shkak të mungesës së kuorumit, kanë nënvizuar rëndësinë e përfundimit të këtij procesi. Megjithatë, KLP vijon të jetë e përfshirë në shqyrtimin e kërkesave për përjashtime, pa arritur ende te zhbllokimi i procedurës kryesore.
Në këto kushte, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm mbetet praktikisht peng i konfliktit procedural brenda KLP-së. Edhe sigurimi i kuorumit të mërkurën, pas katër mbledhjeve të dështuara, nuk mjaftoi për t'i dhënë fund situatës.
Për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm janë pesë kandidatë: prokurori i SPAK, Adnan Xholi; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, aktualisht prokurore në Apelin e Tiranës; prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj; prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto; si dhe Ylli Pjetërnikaj, prokuror i Tiranës dhe aktualisht pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës.
Në vend që procedura të avancojë drejt vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, KLP duhet të zgjidhë fillimisht nyjën e kërkesave për përjashtim. Nëse edhe mbledhja e së enjtes nuk prodhon vendimmarrje për çështjet e mbetura, ngërçi që nisi si një pretendim për konflikt interesi rrezikon të zgjasë më tej procesin për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Përgjithshme. /Pamfletiklp prokuroria e pergjithshme Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet “Sistemit i kanë dalë zorrët jashtë”, Lubonja: Rama ka humbur legjitimitetin ndërkombëtar 9 Shtator 2026, 16:0816:08Aktualitet Ahmetaj ngre akuza për fondet e Onkologjikut: U përdorën për kopshtin ‘Eden’ në Kryeministri 9 Shtator 2026, 14:4014:40Aktualitet Ahmetaj zbulon si funksionon “koncepti KAYO”: Asistente furnizuese nga buxheti i vemjeve 9 Shtator 2026, 14:1914:19Aktualitet “Armë nga vendet nën embargo”, Ahmetaj zbërthen skemën me “patentë shqiptare” dhe anashkalimin e NATO-s 9 Shtator 2026, 14:1714:17Aktualitet Ahmetaj ‘hap dosjen’ e armëve: 31 milionë euro pa tender, Ermal Nufi bëri ‘rrëfim penal’ në Kuvend 9 Shtator 2026, 14:1014:10Aktualitet Zjarr në Kavajë, flakët iu afrohen banesave; kërkohet ndërhyrje nga ajri 9 Shtator 2026, 13:3113:31Aktualitet

