Një operacion i karabinierëve në zonën e Altedos, pranë Bolonjës në Itali, ka zbuluar një plantacion të madh kanabisi të ngritur në ambientet e një ish-kompleksi industrial. Gjatë ndërhyrjes, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, që dyshohet se i afrohet një toni. Në pranga ka përfunduar një shtetas shqiptar 57-vjeçar, i arrestuar në flagrancë.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan bimë kanabisi në fazë rritjeje, lëndë narkotike në proces tharjeje dhe sasi të tjera të përgatitura për paketim e shpërndarje. Në ambientet e kompleksit ishte ngritur edhe një kamp i improvizuar me çadra dhe pajisje të ndryshme. Në momentin e ndërhyrjes, tre persona po merreshin me përpunimin e kanabisit, por dy prej tyre arritën të largoheshin dhe janë shpallur në kërkim.
Përveç 57-vjeçarit të arrestuar, gjashtë shtetas të tjerë shqiptarë, të moshave 51 deri në 65 vjeç, janë vënë nën hetim në gjendje të lirë për përfshirje të dyshuar në aktivitetin kriminal. Mediat italiane raportojnë se hetimet vijojnë për të përcaktuar sasinë përfundimtare të drogës së sekuestruar, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për shkatërrimin e lëndës narkotike dhe çmontimin e plotë të plantacionit.

