Lajme Zone
EkonomiABC News Albania

Zbulimi i 3 mozaikëve të rinj në Qesarat / Shehi: Ja çfarë tregojnë gjetjet e rralla…


Gjashtë mozaikë, tre prej të cilëve të gjeur vetëm pak ditë më parë, një rezidencë luksoze e antikitetit dhe gjurmë të një historie që nis mijëra vjet më parë. Qesarati, në luginën e Vjosës, po rikthehet në vëmendjen e arkeologëve me zbulime që hedhin dritë mbi jetën dhe zhvillimin e kësaj zone në lashtësi. Arkeologu i mirënjohur, Eduard Shehi ka zbuluar në Abc e Mëngjesit se çfarë gjeti grupi që ai bashkëdrejtonte në gërmimët e fundit.

Gjashtë mozaikë, tre prej të cilëve të gjeur vetëm pak ditë më parë, një rezidencë luksoze e antikitetit dhe gjurmë të një historie që nis mijëra vjet më parë. Qesarati, në luginën e Vjosës, po rikthehet në vëmendjen e arkeologëve me zbulime që hedhin dritë mbi jetën dhe zhvillimin e kësaj zone në lashtësi. Arkeologu i mirënjohur, Eduard Shehi ka zbuluar në Abc e Mëngjesit se çfarë gjeti grupi që ai bashkëdrejtonte në gërmimët e fundit.

Pas njoftimit për zbulimin e tre mozaikëve të rinj, dy prej tyre të ruajtur të plotë dhe një të dëmtuar, kërkimet arkeologjike sjellin në fokus një kompleks që mund të ketë qenë pjesë e një qendre të rëndësishme antike. Mozaikët, që i përkasin periudhës së antikitetit të vonë, paraqesin motive gjeometrike, floreale dhe figura njerëzore. Ata janë zbuluar në ambiente të një ndërtese që mendohet të ketë qenë një rezidencë luksoze, ndërsa një prej mozaikëve të gjetur në fragmente mund t’i përkasë një kati të sipërm.

Gërmimet u zhvilluan nga Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro” të Barit, në një territor që prej më shumë se katër dekadash tërheq interesin e studiuesve.

Por historia e Qesaratit nuk nis me këto zbulime. Në vitin 2023, arkeologët identifikuan një sit prehistorik që datohet paraprakisht në fillim të mijëvjeçarit të gjashtë para Krishtit, ku u zbuluan mbi një mijë artefakte prej guri dhe dëshmi të aktivitetit njerëzor. Gjurmët e së kaluarës shtrihen nga neoliti dhe epoka e bronzit, deri në periudhat ilire, helenistike, romake dhe antikitetin e vonë.

Një tjetër dëshmi me rëndësi është thesari i zbuluar rastësisht në vitin 1963, i përbërë nga 60 monedha, 56 prej bronzi dhe katër prej argjendi, që dëshmojnë për qarkullimin monetar në zonë.

Ndërkohë, fragmente të një mozaiku polikrom janë identifikuar edhe gjatë kërkimeve të vitit 2023, ndërsa dy mozaikë të tjerë, të zbuluar rastësisht rreth viteve 1980, presin ende të gërmohen nga arkeologët.

Pozicioni i Qesaratit, në një korridor historik të rëndësishëm të Vjosës dhe në afërsi të qendrave antike si Bylysi, Amantia dhe Antigonea, e bën këtë territor veçanërisht interesant për studimin e historisë së rajonit. A mund të zbulojnë gërmimet e ardhshme një kompleks edhe më të gjerë? Dhe a mund të kthehet Qesarati në një park arkeologjik, ku thesaret e zbuluara të bëhen të vizitueshme për publikun? Përgjigjet mund të vijnë nga vazhdimi i kërkimeve, që mund të zbulojnë jo vetëm mozaikë të tjerë, por edhe më shumë përmasat dhe rëndësinë e kësaj qendre të lashtë banimi./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! ABC-ja e MëngjesitAktualitet arkeologmozaikeQesarat