Policia e Durrësit ka zbardhur dy raste zjarrvënieje në territorin e qarkut, duke arrestuar tre persona të dyshuar si autorë.
Dy prej të arrestuarve dyshohet se shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa personi i tretë akuzohet për zjarrvënie në fshatin Rreth të Shijakut.
Pas marrjes së njoftimeve për dy vatra zjarri, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa kanë asistuar edhe shërbimet zjarrfikëse për vënien nën kontroll të flakëve. Your browser does not support the video tag. Your browser does not support the video tag. Për zjarrin në një sipërfaqe bujqësore në fshatin Ishëm, hetimet kanë zbuluar se Ilir Rika, 48 vjeç, dhe Reshit Jaheshi, 59 vjeç, të dy banues në Sukth, dyshohet se shkaktuan zjarrin aksidentalisht.
Sipas Policisë, dy personat ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në Ishëm, ku po prisnin tuba hekuri me gur fresibël. Shkëndijat e krijuara gjatë prerjes dyshohet se ndezën tokën bujqësore përreth.
Flakët u përhapën më tej duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, si dhe qindra pemë frutore e ullinj.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, në fshatin Rreth të Shijakut është arrestuar 44-vjeçari Shaban Domi, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr, duke shkaktuar djegien e telave të rrjetit elektrik dhe të një sipërfaqeje me bimësi.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.
Policia e Durrësit u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht djegien e mbetjeve bujqësore apo pastrimin e territoreve përmes djegies.
Autoritetet paralajmërojnë se këto veprime mund të sjellin pasoja të rënda për jetën dhe pronën dhe mund të kenë pasoja ligjore. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet

