Këngëtari Jozefin Marku është shoqëruar në Komisariatin nr.6 për veprime të mëtejshme, lidhur me konfliktin e ndodhur pak ditë më parë me Eduart Kuçin në mbikalimin e Rinasit.
Reagimi i policisë ka ardhur pas publikimit të videos nga JOQ Albania, e cila hodhi dritë mbi dinamikën e ngjarjes dhe nxori në pah përdorimin e fenelinave dhe sinjaleve “STOP” të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se videoja është regjistruar në Tiranë, konkretisht në zonën e mbikalimit të Rinasit, ku dy personat janë përfshirë në konflikt.
Pamjet e publikuara nga JOQ ngritën dyshime serioze mbi mënyrën se si Jozefin Marku kishte përdorur sinjalistikë që identifikohet zakonisht me automjetet e policisë, çka duket se ka nxitur edhe reagimin e autoriteteve.
Tashmë këngëtari është shoqëruar në Komisariatin nr.6, ndërsa pritet që pas veprimeve hetimore të përcaktohet përgjegjësia e tij ligjore dhe masat që mund të ndërmerren lidhur me këtë rast.

