Policia e Tiranës ka finalizuar në 24 orët e fundit dy operacione për zbardhjen e gjashtë rasteve të vjedhjes, duke vënë në pranga dy persona. Në kuadër të operacionit “HIJA”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan 23-vjeçarin K. M., i dyshuar se gjatë periudhës 14–22 gusht ka vjedhur para dhe produkte në pesë subjekte të ndryshme. Sipas Policisë, 23-vjeçari ishte më herët nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë arrestimit, në sheshin “Skënderbej”, atij iu gjet dhe sekuestrua edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Ndërkohë, operacioni “REACTION”, çoi në arrestimin e 31-vjeçarit Sh. J. Ai dyshohet se ka vjedhur me dhunë dy varëse një shtetaseje, në rrugën e “Saraçëve”. Dy varëset u sekuestruan si prova materiale. Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
