Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur pretendimet e tij se Kosova i përket Serbisë, gjatë ceremonisë së diplomimit të kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura serbe në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviq” në Banjicë.
Në fjalimin e tij para të rinjve që iu bashkuan radhëve të ushtrisë, Vuçiç deklaroi se Kosova është “pjesë e atdheut serb”, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe duke përdorur edhe argumente fetare.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit. Ne duhet ta kujtojmë dhe ta mbrojmë atë shenjtëri, pa sulmuar askënd dhe pa kërcënuar askënd”, tha Vuçiç.
Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit serb kritikoi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se ky bashkëpunim synon izolimin e Serbisë.
“Ata po krijojnë aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kemi kuptuar këto lëvizje dhe kemi nisur të bëjmë atë që është e nevojshme”, deklaroi presidenti serb, duke shtuar se ushtria e Serbisë duhet të jetë e përgatitur për sfida të reja.
Vuçiç u kërkoi kadetëve të rinj të jenë “garantues të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve serbë”, ndërsa theksoi se sipas tij ushtria serbe është fuqizuar ndjeshëm vitet e fundit përmes blerjes së armatimeve të reja.
Në fund të ceremonisë, presidenti serb vlerësoi kadetët më të dalluar të Akademisë Ushtarake, duke u dorëzuar atyre shpatat e oficerëve me dedikim.
