38 persona janë shoqëruar nga Policia e Sarandës për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lokalin “Principote” në Ksamil. Burime bëjnë me dije se pritet arrestimi edhe i personave të tjerë, përveç 29-vjeçarit Sokrat Vata, i dyshuar si autor i vrasjes. Gjithashtu, pritet ndalimi i dy shtetasve turq që dyshohet se e kanë ndihmuar Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes, si dhe i personave të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë, është ndaluar Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata të largohej pas vrasjes së 20-vjeçarit francez. Nga hetimet e policisë rezulton se Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Sokrat Vatën, në lokalin “Principote”. Dyshohet se ai e ka ndihmuar Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes. Policia po heton gjithashtu rolin e një çifti turk që drejtonte automjetin ku dyshohet se ishte fshehur autori i vrasjes. Sipas hetimeve paraprake, Sokrat Vata dyshohet se punonte edhe si bodyguard i shtetasit turk. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasi Bekim Bulica, 36 vjeç. Nga hetimet rezulton se ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës, me qëllim shmangien e hetimit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

