Lajme Zone
Vrasja në Korçë dhe fenomeni që po shkatërron të rinjtë
Të tjeraCNA

Vrasja në Korçë dhe fenomeni që po shkatërron të rinjtë

Alarmi i heshtur i rinisë/ Kur euforia, dr...

1 DITE ME PARE Alarmi i heshtur i rinisë/ Kur euforia, droga dhe armët kthehen në tragjedi Ngjarja e rëndë e shënuar në Korçë, ku një 21-vjeçar u ekzekutua nga një 20-vjeçar, ka rikthyer në vëmendje një plagë të rëndë sociale që po gërryen shoqërinë shqiptare, përdorimi masiv i lëndëve narkotike dhe lehtësia e përdorimit të armëve nga të rinjtë. Pamjet e publikuara nga CNA pas ngjarjes, ku autori dhe bashkëmoshatarët e tij shfaqen duke pozuar me substanca narkotike në rrjetet sociale dhe duke qëlluar me armë zjarri në pyll, ekspozojnë një realitet që shtrihet përtej Korçës, e shkon në gjithë Shqipërinë, ku euforia e moshës dhe mungesa e reagimit institucional po shndërrohen në një rrezik madhor për komunitetin e gjerë. Për të kuptuar më thellë situatën, CNA iu drejtua zërit të ekspertëve, për të hedhur më shumë dritë mbi anomalinë sociale të krijuar, që vë në pah dështimin e institucioneve, fakt që ka bërë “kurban” adoleshentët e sotëm, duke i shtyrë drejt sjelljeve devijante. Për sociologen Maria Dojçe, rritja e rasteve të dhunës ekstreme dhe krimeve në moshat e reja nuk mund të shihet si një përgjegjësi vetëm individuale, por është shenjë e një mosfunksionimi më të gjerë të shtetit dhe shoqërisë. “Sa herë kemi rritje të rasteve të vrasjeve, vetëvrasjeve, janë shenjat e para që tregojnë një hamulli apo një anomi të të gjithë shoqërisë. Janë moshë shumë e hershme për të filluar me këto lloj problematikash dhe devijancash. Familja e vetme nuk mund t’ia dalë në një rrjet shoqëror agresiv dhe shumë, do të thosha, me probleme të pazgjidhshme,” thekson Dojçe. Duke analizuar psikologjinë e kësaj grupmoshe, ajo shpjegon se dëshira për t'u afirmuar dhe për t'u dukur më të rritur sesa janë realisht i shtyn të rinjtë drejt sjelljeve të rrezikshme. “Është euforia e moshës. Ne e dimë që një adoleshent do të rritet para kohe, do të ndihet burrë apo grua para kohe, por dukja, aparenca për të rënë në sy, për të qenë protagonist, për t’u ndier në qendër të vëmendjes, shpeshherë çon në emocione negative dhe përputh personalitetin në rrugë devijante. Dhe këtu, të rinjtë bien pre e lëndëve narkotike,” thotë Dojçe. Alarmi për përhapjen e lëndëve narkotike nuk njeh më kufij moshe, por as gjeografike pasi ka shtim të rasteve të të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike dhe që i shpërndajnë ato pranë shkollave për bashkëmoshatarët e tyre. Sipas sociologes Dojçe fenomeni është shtrirë frikshëm deri në bankat e shkollave 9-vjeçare, ku fëmijët po preken që në moshë të hershme. “Të them të drejtën, situata është jopozitive. Si të gjithë, sidomos me qytetin e Korçës, e dimë se gjatë këtyre ditëve të fundit i kemi ndjekur ngjarjet dhe vrasjen e një djali të ri. Për çdo prind, për çdo qytetar dhe për çdo familjar që jeton në këtë territor, ngjarja është shumë shokuese. Dhe përdorimi i lëndëve narkotike, ne shpeshherë kemi folur që është masivizuar për fat të keq. Më nuk kërkon një moshë, nuk kërkon një limit fillestar, sepse identifikojmë edhe raste të shkollave 9-vjeçare që fëmijët që nga e treta përdorin lëndë narkotike. Por nga ana tjetër nuk ka asnjë tavan që të thoshim deri në këtë moshë, por vëmë re që çdo grupmoshë po preket dhe po bie pre e lëndëve narkotike,” tha sociologia. Kjo situatë pasqyrohet qartë edhe në strukturat e specializuara mjekësore. Mjeku psikiatër në Korçë, Roland Lalaj tregon se Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon trajton një gamë të gjerë moshash, ku mbi 60% të pacientëve e përbëjnë grupmoshat deri në 40 vjeç, por ka edhe të rinj rreth të 20-ave. Përveç varësisë nga opiatet, specialistët përballen edhe me sfida të tjera shëndetësore. “Dua të përmend dhe një fakt tjetër që ne hulumtojmë dhe në aspektin e shëndetit mendor dhe duhet të dimë një gjë, që rreth 60% të paktën nga depistimet që kemi bërë ne janë me probleme të shëndetit mendor. Dhe kryesisht me probleme të çrregullimit të personalitetit apo dhe çrregullime të humorit,” shprehet mjeku Lalaj. Lidhur me rrezikshmërinë e këtyre individëve për shoqërinë, doktor Lalaj sqaron se problemi nuk qëndron te diagnozat e shëndetit mendor, por te kombinimi i tyre me substancat. “Nëse këta persona që kanë probleme të shëndetit mendor, të diagnozave të përmendura apo të ngjashme, por janë nën ndikimin e përdorimit të substancave, e keni parasysh substancat psikoaktive, atëherë është e mundur, është risku për të bërë vepra që bien ndesh me normat dhe moralin e sjelljes shoqërore”, thotë mjeku. Prapa statistikave dhe ngjarjeve kriminale fshihen histori personale dramatike. Një 29-vjeçar nga Korça ka ndarë rrugëtimin e tij të gjatë të varësisë, e cila nisi në fëmijëri pas humbjes së nënës dhe mungesës së kujdesit institucional e shoqëror. Sot ndërsa përpiqet të qëndrojë larg drogës përmes metadonit dhe punëve të rënda fizike për mbijetesë, historia e tij shërben si dëshmi e qartë e pasojave shkatërruese që sjell mungesa e parandalimit dhe mbështetjes për të rinjtë. “Në atë kohë që më vdiq mamaja, as një vit fillova drogën, hashashin 13 vjeç, nga mosha 15 vjeç fillova të kuqen, heroinën. Pas 3 vitesh pastaj, kur bëra 18, fillova edhe të bardhën, kokainën. Me heroinën kam gati 17 vjet. 29 jam. Tani po pi metadon, kam ca vite. Atëherë ka qenë jeta më e bukur se tani. Më duket se atëherë kisha çdo gjë. Tani çfarë? Unë tani dal, punoj, e përse? Ka qenë e vështirë. Kam ngjitur dru në kat të shtatë për 10 mijë lekë të vjetra. Kam ngjitur rërë, punoja për njerëzit për 5 mijë lekë. Kishte ditë që më kapte edhe 7-8 mijë lekë. Si s’është e vështirë për mua? Po më doli puna merrem, s’më doli, rri” rrëfen ai. Tragjedia e Korçës nuk duhet të mbetet thjesht një kronikë e radhës, por një kambanë alarmi dhe një thirrje për reflektim mbarëshoqëror. Kur institucionet heshtin, kur rrjetet e sigurisë në shkolla çedojnë dhe kur familjet mbeten të vetmuara, kostoja paguhet me jetët e të rinjve. Ndërtimi i një të ardhmeje më të sigurt kërkon një angazhim të gjithanshëm ku parandalimi, mbështetja psikologjike, lufta kundër rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe kontrolli i rreptë i armëve të mos jenë thjesht premtime, por një prioritet kombëtar në mënyrë që të mos lejojmë që brezat e ardhshëm të digjen nga flaka e papërgjegjësisë kolektive. /CNA 2 DITE ME PARE Rrëfimi i 29-vjeçarit nga Korça/ Nisi drogën 13 vjeç, sot trajtohet me metadon Pas ngjarjes tragjike që tronditi qytetin e Korçës dhe vuri në pah përdorimin në masë të substancave narkotike nga të rinjtë, vjen rrëfimi i një 29-vjeçari për CNA që tregon rrugën e dhimbshme të varësisë që nga fëmijëria dhe sfidat e përditshme për të rindërtuar jetën.

Tragjedia e rëndë e ndodhur së fundmi në Korçë, ku një 21-vjeçar u ekzekutua nga një 20-vjeçar, ka shërbyer si një kambanë alarmi për shoqërinë, duke treguar realitetin e errët të përdorimit të lëndëve narkotike dhe braktisjen institucionale të të rinjve.

Në këtë kuadër, një 29-vjeçar nga Korça ka vendosur të ndajë për CNA historinë e tij të dhimbshme. Ishte vetëm 13 vjeç kur provoi për herë të parë drogën. Humbja e nënës, mungesa e kujdesit dhe shoqëria me të cilën u rrethua, e shtynë drejt hashashit.

Në moshën 15-vjeçare nisi heroinën, ndërsa në moshën 18-vjeçare kokainën. Sot, pas gati 17 vitesh përdorim heroine, 29-vjeçari po përpiqet të qëndrojë larg drogës përmes trajtimit me metadon. Për CNA ai rrëfen historinë e tij, vështirësitë dhe jetën pas varësisë. Hashashi ishte vetëm fillimi i një historie që do të zgjaste për vite të tëra. “Mua më ka vdekur mamaja. Në atë kohë që më vdiq mamaja, as një vit fillova drogën, hashashin. 13 vjeç. Epo mamaja më vdiq, unë s’kisha me kë të jetoja se babai në punë. Çfarë do bëja tërë ditën unë? Në atë shoqëri rashë dhe ashtu e bëra. E gjeja unë, se s’ishte problem për ta gjetur. Nga hashashi, nga mosha 15 vjeç fillova të kuqen, heroinën. Pas 3 vitesh pastaj, kur bëra 18, fillova edhe të bardhën, kokainën. Kokainën vazhdova 2 vjet gati. Me heroinën kam gati 17 vjet. 29 jam. Tani po pi metadon, kam ca vite”, shprehet 29-vjeçari. Sot ai thotë se nuk përdor më drogë dhe merr vetëm metadonin. Por vitet e varësisë kanë lënë pas edhe pasoja sociale e ekonomike. 29-vjeçari tregon se ka bërë punë të rënda fizike për pagesa minimale dhe se ende nuk ka një punë të qëndrueshme.

Pavarësisht historisë së gjatë me drogën, ai mohon të jetë përfshirë në vjedhje apo vepra penale dhe thotë se sot është shkëputur edhe nga shoqëria që përdor substanca. Për të, metadoni është mënyra që po e ndihmon të mos rikthehet te droga. “Atëherë ka qenë jeta më e bukur se tani. Më duket se atëherë kisha çdo gjë. Tani çfarë? Unë tani dal, punoj, bëj, e përse? Ka qenë e vështirë. Kam ngjitur dru në kat të shtatë për 10 mijë lekë të vjetra. Kam ngjitur rërë, punoja për njerëzit për 5 mijë lekë. Kishte ditë që më kapte edhe 7-8 mijë lekë. Si s’është e vështirë për mua? Po më doli puna merrem, s’më doli, rri. Jo, jo, jo. Asnjëherë. Për vjedhje e për kështu, asnjëherë. As edhe një herë. Dhe nuk do ta bëj. Tani nuk pi më. Pi vetëm këtë ilaç, metadonin. Unë rri vetëm me djalin e xhaxhait tim dhe djalin e hallës së xhaxhait. Dhe ata nuk pinë”, tha ai. Sot, 29-vjeçari përpiqet të rindërtojë jetën e tij, pas më shumë se një dekade të kaluar nën varësinë e heroinës. Metadoni është tashmë pjesë e përditshmërisë së tij, ndërsa largimi nga droga mbetet një betejë e përditshme. Një histori që nisi në moshën 13-vjeçare, pas humbjes së nënës, dhe që tregon se sa e gjatë dhe e vështirë mund të jetë rruga për t’u shkëputur nga varësia. /CNA 2 DITE ME PARE Përdorimi masiv i drogës te të rinjtë/ Sociologia Dojçe: Raste edhe në shkollat 9-vjeçare Ngjarja e rëndë e shënuar në Korçë ku një i ri 20-vjeçar u vra nga një 21-vjeçar ka nxjerrë në pah një tjetër alarm të heshtur që po gërryen shoqërinë tonë, atë të përhapjes masive të lëndëve narkotike, e cila shfaqet hapur edhe përmes videove dhe fotove në rrjetet sociale ku të rinjtë pozojnë me substanca narkotike dhe armë zjarri, siç ishte edhe rasti i vrasjes në Korçë, ku nga videot dhe fotot e publikuara nga CNA u pa se si të rinjtë shfaqeshin me armë dhe lëndë narkotike.

Sipas sociologes Maria Dojçe, ky fenomen nuk njeh më kufij moshash dhe po kapërcen çdo limit të parashikueshëm, duke u shtrirë deri në bankat e shkollave 9-vjeçare. “Të them të drejtën, situata është jopozitive. Si të gjithë, sidomos me qytetin e Korçës, e dimë se gjatë këtyre ditëve të fundit i kemi ndjekur ngjarjet dhe vrasjen e një djali të ri. Për çdo prind, për çdo qytetar dhe për çdo familjar që jeton në këtë territor, ngjarja është shumë shokuese. Dhe përdorimi i lëndëve narkotike, ne shpeshherë kemi folur që është masivizuar për fat të keq. Më nuk kërkon një moshë, nuk kërkon një limit fillestar, sepse identifikojmë edhe raste të shkollave 9-vjeçare që fëmijët që nga e treta përdorin lëndë narkotike. Por nga ana tjetër nuk ka asnjë tavan që të thoshim deri në këtë moshë, por vëmë re që çdo grupmoshë po preket dhe po bie pre e lëndëve narkotike”, tha sociologia. Sipas sociologes, përballë kësaj situate, shqetësimi nuk lidhet vetëm me përdorimin e substancave narkotike, por edhe me moshën gjithnjë e më të vogël të personave që ekspozohen ndaj tyre. Përballë këtij realiteti tronditës, ku çdo grupmoshë po cenohet rëndë, sfida më e madhe mbetet reagimi i menjëhershëm i familjes dhe institucioneve për të identifikuar dhe parandaluar këtë plagë sociale në kohë./CNA 3 DITE ME PARE Alarmi që ngriti tragjedia në Korçë/ 60% e të trajtuarve me metadon, me probleme të shëndetit mendor Tragjedia e rëndë në Korçë, ku një 21-vjeçar u ekzekutua nga një 20-vjeçar ka rikthyer në vëmendje një realitet tejet shqetësues rreth përfshirjes së të rinjve në akte dhune, përdorim armësh dhe lëndësh narkotike. Ngjarja ka marrë një dimension edhe më alarmant pas publikimit të videos nga CNA ku shokët e autorit shfaqen duke qëlluar me armë zjarri në mes të pyllit, si dhe fotove ku të rinjtë pozojnë hapur me armë në duar dhe substanca narkotike në rrjetet sociale.

Ndërkohë që përdorimi i substancave dhe problematikat e varësisë, siç është edhe trajtimi i tyre përmes metadonit, përfaqësojnë një betejë tjetër të rëndë shëndetësore e sociale, lehtësia me të cilën këta të rinj sigurojnë dhe përdorin armët dëshmon për një krizë të thellë të kontrollit dhe parandalimit.

Një ditë më parë CNA analizoi këtë situatë përmes këndvështrimit të sociologëve dhe ekspertëve të shëndetit mendor, pasi kjo histori kërkon një vëmendje të veçantë për të kuptuar se si euforia e moshës dhe braktisja institucionale po i shndërrojnë të rinjtë në rrezik për komunitetin.

Sot po sjellimin në vëmendjen e publikut mënyrën se si trajtohen në Korçë rastet e personave të grupmoshave të ndryshme të cilët janë konsumues të lëndëve narkotike dhe kërkojnë ndihmë mjeksore.

Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon në Korçë prej rreth dy vitesh funksionon nën administrimin e shtetit dhe në varësi të Spitalit Rajonal të Korçës. Sipas mjekut psikiatër Roland Lalaj, kalimi i njësisë nën administrimin publik ka sjellë ndryshime të rëndësishme në trajtimin e personave me histori të përdorimit të heroinës dhe substancave të tjera opiate. Numri i personave që marrin metadon është ulur me rreth një të tretën krahasuar me majin e vitit 2024. Por përtej trajtimit të varësisë, mjekët përballen edhe me probleme të shëndetit mendor dhe sëmundje infektive tek një pjesë e konsiderueshme e pacientëve. “Duhet të them që ka rreth dy vjet që Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon, nga një shoqatë që e ka menaxhuar këtë njësi, ka kaluar në varësi të shtetit, të Spitalit Rajonal Korçë. Nëse bëjmë një histori të situatës si ka qenë në atë kohë, para dy vitesh dhe sot, natyrisht janë ndryshime shumë esenciale pozitive. Kemi pasur një numër të konsiderueshëm, po flas në maj të vitit 2024 dhe sot, pas dy vitesh e dy-tre muajve, shohim që numri i personave që trajtohen në Njësinë e Trajtimit Mbajtës me Metadon të Korçës është 1/3 më pak. Dhe kjo natyrisht një interesim më të madh të shtetit ndaj personave që trajtohen me metadon. Në njësinë tonë, përveç mjekut psikiatër, funksionon edhe psikologia dhe infermierja, dhe pranë spitalit ka dhe mjek toksikolog. Pra, një ekip shumëdimensional natyrisht ka bërë një punë më eficiente në këtë trajtim”, tha mjeku Lalaj. Metadoni përdoret si trajtim zëvendësues për personat që kanë një histori të gjatë të përdorimit të heroinës dhe opiateve. Qëllimi, sipas mjekut, është që marrja e substancës të bëhet nën kontrollin e profesionistëve, ndërsa trajtimi të shoqërohet edhe me mbështetje psikologjike dhe sociale. Njësia synon që pacientët jo vetëm të largohen nga përdorimi i heroinës, por të rikthehen gradualisht në një jetë më të qëndrueshme. “Qëllimi dhe synimi i Njësisë së Trajtimit Mbajtës me Metadon është që këta persona që kanë histori të përdorimit të grupeve të opiateve, heroinës, synohet që të mbahen të kontrolluar duke i dhënë një lëndë që është metadoni, që ka funksion zëvendësues sintetik të heroinës. Dhe natyrisht mbahet në kontroll të profesionistëve marrja e metadonit dhe ndërhyhet në këtë këndvështrim edhe me trajtime psikologjike, me këshillime, me komunikime me familjarët e tyre. Mbase dihet që një pjesë e madhe e këtyre personave kanë dhe probleme sociale dhe bashkëpunohet edhe me institucionet vendimmarrëse të punësimit, që mund t’u sigurohet një punë për të siguruar një të ardhme, që do të zbuten problemet sociale”, shprehet mjeku. Në këtë strukturë trajtohen persona të grupmoshave të ndryshme. Sipas mjekut Lalaj, pacienti më i madh në moshë është 65 vjeç, ndërsa në trajtim ka edhe persona rreth të 20-ave. Megjithatë, pjesën më të madhe e përbëjnë personat deri në moshën 40 vjeç, që përbëjnë më shumë se 60% të totalit të pacientëve që marrin metadon. “Ne kemi, në kufirin më të madh të moshës, një 65-vjeçar, është kufiri më ekstrem, dhe kemi pothuajse të gjitha moshat, duke përfshirë nga mosha 20-vjeçare. Por përqindjen më të madhe të personave që trajtohen me metadon janë individët që kanë grupmoshat deri në 40 vjeç. Janë mbi 60% e këtyre personave që trajtohen me metadon”, thotë Lalaj. Trajtimi nuk ndalet vetëm tek varësia nga heroina. Një pjesë e personave që kanë përdorur substanca përmes injektimit janë të ekspozuar edhe ndaj sëmundjeve infektive. Për këtë arsye, në njësinë e Korçës kryhen edhe depistime për hepatitin C dhe hepatitin B, ndërsa synohet që pacientët të marrin trajtim edhe nga specialistët e sëmundjeve infektive. “Dua të them dhe një fakt tjetër që misioni ynë është që jo vetëm thjesht të trajtojmë me metadon, por depistohen dhe për sëmundjet infektive, pasi duke ditur që këta persona në historinë e tyre kanë pasur probleme sjellore dhe kanë bërë prirje të shkëmbimit të materialeve të infektuara me njëri-tjetrin, dhe janë prezente dhe hepatiti C në një numër të konsiderueshëm, hepatiti B, dhe synimi është që të trajtojmë më tej këta persona me profesionistë të tjerë të sëmundjeve infektive, në mënyrë që të mos rrezikojnë më seriozisht probleme madhore të shëndetit fizik”, shprehet mjeku psikiatër. Një tjetër shqetësim i evidentuar nga specialistët është shëndeti mendor. Sipas psikiatrit Roland Lalaj, nga depistimet, intervistat dhe vlerësimet e kryera në këtë njësi, rreth 60% e personave që trajtohen kanë edhe probleme të shëndetit mendor. Mjeku përmend kryesisht çrregullimet e personalitetit dhe çrregullimet e humorit, duke theksuar nevojën për trajtim të kombinuar. “Dua të përmend dhe një fakt tjetër që ne hulumtojmë dhe në aspektin e shëndetit mendor dhe duhet të dimë një gjë, që rreth 60% të paktën nga depistimet që kemi bërë ne dhe nga hulumtimet dhe nga intervistat që bëjmë me këta klientë, janë me probleme të shëndetit mendor. Dhe kryesisht me probleme të çrregullimit të personalitetit apo dhe çrregullime të humorit”, tha mjeku. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si pacientët trajtohen dhe perceptohen brenda sistemit shëndetësor. Njësia është zhvendosur në ambientet e poliklinikës, duke bërë që personat që marrin metadon të trajtohen në ambiente të përbashkëta me qytetarët e tjerë që marrin shërbime shëndetësore. Sipas mjekut, kjo ka ndikuar edhe në mënyrën se si pacientët e perceptojnë veten dhe trajtimin që marrin. “Dhe duhet të ndaj dhe një fakt tjetër që shpeshherë na drejtohet pyetja që këta persona a janë persona të rrezikshëm, a janë persona që mund të bëjnë vepra që normalisht shoqëria të ndihet e mbrojtur nga këta? Misioni ynë i njësisë është dhe ne kemi bërë hapin e parë të trajtimit, ai të vendoset natyrisht me suportin e drejtorisë spitalore, që të zhvendosim në ambientet e poliklinikës. Pra, këta njerëz t’i trajtojmë sikundër të gjithë pjesët e tjera të personave, individëve që trokasin në institucionin shëndetësor. Pra, janë ambiente të përbashkëta me të gjithë personat e tjerë që tregojnë interes për shëndetin e tyre dhe një ambient shumë më komod. Pra, kjo ishte shumë e rëndësishme. Duke krijuar një ambient më komod, natyrisht dhe këta ndihen më të vlerësuar”, deklaron Lalaj. Një prej pyetjeve që ngrihet shpesh në raport me personat që kanë histori të përdorimit të drogës është rrezikshmëria e tyre për komunitetin. Mjeku Lalaj bën një ndarje mes problemeve të shëndetit mendor dhe përdorimit aktiv të substancave psikoaktive. Sipas tij, vetë problemet e shëndetit mendor nuk nënkuptojnë se një person është më i prirur për të kryer vepra penale. Ndërsa përdorimi i substancave mund të rrisë riskun për sjellje problematike. “Por për t’i dhënë përgjigje asaj dileme që shtrohet, që a janë persona që këta bëjnë vepra penale, statistikat tregojnë që personat me probleme të shëndetit mendor nuk bëjnë më shumë vepra penale sesa pjesa tjetër e shoqërisë. Të jenë të qetë komuniteti. Por, natyrisht, duhet ta evidentojmë që nëse këta persona që kanë probleme të shëndetit mendor, të diagnozave të përmendura apo të ngjashme, por janë nën ndikimin e përdorimit të substancave, e keni parasysh substancat psikoaktive, atëherë është e mundur, është risku për të bërë vepra që bien ndesh me normat dhe moralin e sjelljes shoqërore. Këtu ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për t’i mbajtur gjithmonë në observim, për të minimizuar veprat penale”, thotë mjeku psikiatër. Nga trajtimi i varësisë tek shëndeti mendor, sëmundjet infektive dhe riintegrimi social, Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon në Korçë synon një qasje më të gjerë ndaj personave që kanë histori të përdorimit të heroinës dhe opiateve. Ulja e numrit të pacientëve të trajtuar, sipas mjekut, është një tregues pozitiv, ndërsa sfida mbetet që trajtimi të shkojë përtej marrjes së metadonit, duke i ndihmuar këta persona të rikthehen në familje, punë dhe jetë sociale./CNA 3 DITE ME PARE Vrasja e të riut dhe plaga shoqërore/ Kur euforia e moshës kthehet në devijancë Vrasja e 21-vjeçarit në Korçë, ku autor është një 20-vjeçar, ka tronditur jo vetëm familjen e viktimës dhe opinionin publik, por ka rikthyer në vëmendje një sërë problematikash sociale që prekin veçanërisht moshat e reja.

Përfshirja e të rinjve në konflikte dhe aksesi tek armët janë disa prej fenomeneve që sipas sociologëve kërkojnë jo vetëm reagim pas ngjarjeve, por, mbi të gjitha, mekanizma të fortë parandalimi.

Në një qytet relativisht të vogël si Korça, ku grupet shoqërore dhe lëvizjet e të rinjve janë më lehtësisht të identifikueshme, pyetjet pas kësaj ngjarjeje janë të shumta.

A mund të ishte parandaluar tragjedia? A funksionuan në kohë institucionet? Sa ndikojnë familja dhe shoqëria në orientimin e të rinjve dhe sa e ekspozuar është kjo grupmoshë ndaj lëndëve narkotike dhe sjelljeve të dhunshme? Sipas sociologes Maria Dojçe, përhapja e këtyre fenomeneve nuk mund të shihet vetëm si përgjegjësi individuale e të rinjve apo e familjeve të tyre. Rritja e rasteve të dhunës ekstreme dhe e krimeve të rënda në moshat e reja, sipas saj, është një sinjal se disa mekanizma të shoqërisë nuk po funksionojnë siç duhet. Dojçe e konsideron familjen një faktor të rëndësishëm në edukimin dhe orientimin e fëmijëve, por thekson se ajo nuk mund të përballet e vetme me një realitet social gjithnjë e më kompleks. ?Si gjithmonë këto situata, në fakt, në këndvështrimin e sociologjisë, tregojnë një mosfunksionim të institucioneve, të shtetit, të vetë shoqërisë. Sa herë kemi rritje të rasteve të vrasjeve, vrasjet janë shenjat e para që tregojnë një hamulli apo një anomi të të gjithë shoqërisë. Janë moshë shumë e hershme për të filluar me këto lloj problematikash dhe devijancash. Nga ana tjetër, deri dje unë thosha familja është dhe familja mbetet faktori kryesor në mirorientimin e fëmijëve dhe miredukimin e tyre. Por familja e vetme nuk mund t?ia dalë në një rrjet shoqëror agresiv dhe shumë, do të thosha, me problematika të pazgjidhshme.? Një tjetër element që ndikon në sjelljen e moshave të reja, sipas Dojçes, është vetë periudha e adoleshencës dhe dëshira për t?u afirmuar. Në këtë moshë, të rinjtë kërkojnë të fitojnë status brenda grupit, të tërheqin vëmendje dhe shpesh përpiqen të shfaqen më të rritur nga sa janë realisht. Pikërisht kjo dëshirë për protagonizëm, thotë sociologia, mund t?i shtyjë drejt sjelljeve të rrezikshme. ?Është euforia e moshës. Ne e dimë që një adoleshent do të rritet para kohe, do të ndihet burrë apo grua para kohe, ende nuk di për të shijuar edhe pak ato momentet e shkëputjes nga fëmijëria dhe fillimit të një jete të rritur, ende nuk di përgjegjësitë që ka jeta e një të rrituri. Por dukja, aparenca për të rënë në sy, për të qenë protagonist, për t?u ndier në qendër të vëmendjes, shpeshherë çon në emocione negative dhe përputh personalitetin në rrugë devijante. Dhe këtu, të rinjtë bien pre e lëndëve narkotike." Pyetja që shtrohet natyrshëm nuk lidhet vetëm me gabimet e moshës apo dështimin e mjedisit familjar, por veçanërisht me lehtësinë me të cilën kjo eufori e rinisë shndërrohet në një kërcënim me armë në duar. Sa e mbrojtur është sot kjo grupmoshë dhe ku po dështon kontrolli i territorit nga forcat e rendit? Përgjigjet e sociologes Maria Dojçe vendosin gishtin mbi plagën e aksesit ndaj armëve, rolin e pashmangshëm të institucioneve dhe pasojat e rënda që sjell heshtja e shoqërisë./ CNA LinkedIn Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.