Lajme Zone
Vrasja e portugezit, “Principote Mykonos”: S’kemi lidhje me beach-barin në Ksamil, na ka vjedhur emrin
Të tjeraJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Vrasja e portugezit, “Principote Mykonos”: S’kemi lidhje me beach-barin në Ksamil, na ka vjedhur emrin

Pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ka reaguar edhe biznesi “Principote Mykonos” në Greqi, duke u distancuar nga lokali shqiptar që mban të njëjtin emër.

Pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ka reaguar edhe biznesi “Principote Mykonos” në Greqi, duke u distancuar nga lokali shqiptar që mban të njëjtin emër.

Përmes një deklarate publike, përfaqësuesit e beach bar-it në Mykonos sqarojnë se nuk kanë asnjë marrëdhënie biznesi apo lidhje tjetër me subjektin në Ksamil, ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Sipas tyre, lokali në Shqipëri po përdor pa autorizim emrin “Principote”, duke krijuar një perceptim të gabuar për një lidhje mes dy bizneseve. “Principote Mykonos” thotë se për këtë çështje ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë.

“Principote Mykonos” thekson se përdorimi i emrit nga subjekti në Ksamil dëmton reputacionin e biznesit grek dhe, sipas pretendimit të tyre, përfiton në mënyrë të padrejtë nga emri që marka ka ndërtuar ndër vite.

Reagimi vjen në një moment kur lokali në Ksamil është në qendër të vëmendjes pas ngjarjes tragjike, ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes.

Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, 20-vjeçari kishte ardhur në Shqipëri së bashku me një grup turistësh francezë dhe portugezë. Bashkëudhëtarët kanë deklaruar se nuk e kishin parë momentin e konfliktit dhe se për vdekjen e tij ishin informuar vetëm mëngjesin e të nesërmes, pas mbërritjes së Policisë.

Nga dinamika e zbardhur deri në këtë fazë të hetimit, konflikti dyshohet se nisi brenda ambienteve të lokalit, pas një debati që lidhet me një vajzë.

Sipas hetimeve, David Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanike dhe banues në Tiranë, dyshohet se ka nisur përplasjen fizike me turistin portugez. Më pas, në konflikt janë përfshirë edhe pjesëtarë të stafit.

Sipas të dhënave të hetimit, Sokrat Vata dyshohet se e ka nxjerrë të riun nga ambientet e lokalit dhe e ka dërguar drejt zonës së shezlongëve pranë beach bar-it “Paradise”, ku dyshohet se e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale.

Pas ngjarjes, sipas hetimeve, në lëvizjet e të dyshuarve është përfshirë edhe Moisid Matushaj, efektiv policie që punonte edhe si truprojë në “Principote”. Ai dyshohet se ka transportuar Vatën me automjetin e tij drejt qendrës së Ksamilit, përpara se të rikthehej në kompleks.

Vata më pas dyshohet se ka kërkuar ndihmën e dy shtetasve turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak. Të dy janë arrestuar nga autoritetet, ndërsa kanë deklaruar se kishin krijuar një raport shoqëror me Vatën dhe se në disa raste e kishin paguar për shërbime shoqërimi personal.