Lajme Zone
Vrasja e portugezit në Ksamil, dëshmojnë shokët: Njëri shau, tjetri qëlloi me thikë
Të tjeraJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Vrasja e portugezit në Ksamil, dëshmojnë shokët: Njëri shau, tjetri qëlloi me thikë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e një prej francezëve që ndodhej bashkë me portugezin Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra më 18 gusht në Ksamil.

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e një prej francezëve që ndodhej bashkë me portugezin Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra më 18 gusht në Ksamil.

Adib Ghanmi ka treguar para hetuesve se grupi prej shtatë miqsh po qëndronte në plazh pas përfundimit të festës në klubin “Principote”, kur pranë tyre është afruar një person që fliste frëngjisht dhe ka ofenduar një prej shokëve të tij.

Sipas dëshmisë, situata është përshkallëzuar pasi personi e ka goditur me kokë një nga turistët. Më pas, sipas Ghanmi, në konflikt është përfshirë edhe një tjetër person, i cili mbante një thikë në dorë.

Francezi pretendon se ky person, që nga përshkrimi i tij dyshohet të jetë Sokrat Vata, ka goditur fillimisht me thikë në këmbë një prej turistëve, të identifikuar si Tourpal, dhe më pas ka goditur në zemër Luis Miguel Varela Mendes, duke i shkaktuar vdekjen.

“Ne ishim shtatë shokë. Po festonim në klubin ‘Principote’. Pasi mbaroi festa, po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte i veshur me rroba të shkurtra ngjyrë jeshile, rreth 25-30 vjeç, me trup normal dhe flokë të shkurtra. Ishte shqiptar, por fliste frëngjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim”, ka deklaruar Ghanmi.

Ai ka vijuar duke përshkruar momentin kur konflikti u përshkallëzua.

“Më pas erdhi një person i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë. Fillimisht ka goditur një shokun tim, Tourpal, me thikë në këmbë dhe më pas ka goditur edhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër”, ka rrëfyer ai.

Ghanmi ka treguar gjithashtu se, në momentin e përleshjes, pranë grupit kanë mbërritur rreth 10-15 persona të sigurisë. Ai thotë se nuk është në gjendje të përcaktojë nëse ata u përfshinë në konflikt.

Sipas tij, ai vetë është përpjekur të ndalojë personin që kishte goditur me kokë një prej shokëve, por ky i fundit e ka shtyrë dhe Ghanmi ka përfunduar në ujë.

Dëshmia e francezit paraqet një version krejtësisht të ndryshëm nga ai i dhënë në gjykatë nga Sokrat Vata një ditë më parë. Vata ka pretenduar se konflikti nisi për shkak të zhurmës që turistët po bënin brenda lokalit dhe se, pasi iu kërkoi të qetësoheshin, është sulmuar prej tyre.

Ai ka deklaruar se gjatë përleshjes, pasi kanë dalë jashtë lokalit, ka parë se njëri prej turistëve kishte një thikë. Vata ka pretenduar se nuk e kujton saktësisht momentin kur e ka goditur, duke e lidhur veprimin me gjendjen e shokut dhe përpjekjen për t’u vetëmbrojtur.

Dy dëshmitë paraqesin kështu dy versione të kundërta për mënyrën se si nisi konflikti dhe për momentet që i paraprinë vrasjes së turistit portugez. Hetimet pritet të përcaktojnë dinamikën e plotë të ngjarjes, rolin e secilit person dhe rrethanat në të cilat u përdor arma e ftohtë.