Detaje të reja kanë dalë pas vrasjes së 44-vjeçares shqiptare Esma Meço në Greqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, Bujar Meço, 53 vjeç. Në një intervistë për mediat greke, një kushërirë e viktimës ka deklaruar se familjarët e dinin prej kohësh se Esma ishte viktimë e dhunës në familje. Sipas saj, 44-vjeçarja u kishte treguar edhe fotografi ku dukeshin shenjat e dhunës, ndërsa të afërmit i kishin kërkuar vazhdimisht të largohej nga banesa dhe të qëndronte me ta.
Kushërira ka treguar gjithashtu se Bujar Meço e kishte kërcënuar dhe i kishte kufizuar komunikimin me familjarët dhe miqtë. “Ne flisnim fshehurazi në telefon”, ka deklaruar ajo për mediat greke. Vrasja ndodhi mesditën e së mërkurës, kur 53-vjeçari dyshohet se e goditi me thikë në qafë bashkëshorten. Në banesë ndodheshin edhe vajza e tyre 16-vjeçare dhe djali 19-vjeçar. E mitura pa nënën e saj të vdiste, ndërsa djali e mori në krahë dhe e dërgoi në spital, por 44-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.
Pas krimit, Bujar Meço dyshohet se tentoi t’i jepte fund jetës duke konsumuar benzinë. Ai u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas daljes nga reanimacioni, autoritetet greke e arrestuan zyrtarisht dhe ai vijon të ruhet nga policia në spital. Sipas dyshimeve paraprake, motivi i vrasjes lidhet me xhelozinë, ndërsa Esma Meço kishte nisur procedurat për divorc dhe pritej të niste procesin ligjor për ndarjen nga bashkëshorti.

