Thirrjet kundër dhunës ndaj grave kanë marrë sot zë në Prishtinë, ku qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në protestë pas vrasjes së Jetlira Foniqit, 25-vjeçares shtatzënë nga Malisheva.
Jetlira humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri në banesën e saj në fshatin Kërvasari të Malishevës. Ajo ishte në javën e 34-t të shtatzënisë. Rasti është iniciuar nga autoritetet si “vrasje e rëndë”.
Protesta në Prishtinë u zhvillua si një reagim ndaj kësaj ngjarjeje tragjike dhe rasteve të tjera të dhunës ndaj grave. Protestuesit kërkuan drejtësi për Jetlirën dhe masa konkrete nga institucionet për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve të grave.
Në fokus të protestës ishte edhe përgjegjësia institucionale, me thirrje që raste të tilla të mos trajtohen vetëm pasi tragjedia ka ndodhur, por të ndërmerren hapa konkretë për mbrojtjen e grave që ndodhen në situata rreziku.
Ngjarja në Malishevë ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Bashkëshorti i Jetlirës, Egzon Bytyqi, ishte personi i dyshuar për vrasjen. Ai mbeti gjithashtu i plagosur në ngjarje dhe ndërroi jetë më 27 gusht në QKUK, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë.
Emri i Jetlira Foniqit tashmë është kthyer në simbolin e një tjetër tragjedie që ka rikthyer në vëmendje një prej problematikave më të rënda të shoqërisë kosovare: dhunën ndaj grave dhe nevojën për reagim më të fortë institucional.
“Drejtësi për Jetlirën!” ishte një nga mesazhet që përcolli protesta, ndërsa kërkesa e pjesëmarrësve ishte që vrasjet e grave të mos mbeten vetëm statistika, por të shërbejnë si alarm për veprime konkrete.

