Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme zonën e Dukagjinit në Shkodër, ku Lekë dhe Prel Gjoni, babë e bir, janë vrarë me armë zjarri, ndërsa një tjetër person ka mbetur i plagosur rëndë.
I plagosuri është identifikuar si Aleks Preka, i cili raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20 në fshatin Mgull, në Njësinë Administrative Pult, ndërsa në zonë janë nisur forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Të dhënat paraprake ngrenë edhe hipotezën se ngjarja mund të ketë lidhje me gjakmarrjen, por kjo mbetet ende për t'u verifikuar nga hetimet dhe rrethanat e sakta nuk janë zbardhur.
Ndërkohë, për shkak të terrenit të thellë malor dhe vështirësive në komunikim, marrja e informacionit nga vendngjarja është e vështirë.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Njoftimi i plotë i Policisë:
“Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, si dhe është plagosur rëndë shtetasi A. P.
Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.”

