Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku, ngjarje e ndodhur mëngjesin e sotëm në Bulqizë. Në kuadër të hetimeve, policia ka sekuestruar një pajisje DVR në banesën e viktimës, e cila shërbente për regjistrimin e pamjeve nga tri kamera sigurie të instaluara në ambientet e shtëpisë.
Megjithatë, gjatë kontrollit të pajisjes, hetuesit nuk kanë gjetur asnjë regjistrim filmik. Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetari Elton Qyno, dyshohet se Gazmir Fiku, 33 vjeç, djali i viktimës dhe një prej personave të dyshuar për përfshirjen në krim, ka fshirë pamjet nga telefoni i tij.
Për këtë arsye, policia e Dibrës ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi kompjuterik të pajisjes DVR, me qëllim verifikimin nëse regjistrimet e fshira mund të rikuperohen dhe të shërbejnë si prova për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se motivi i krimit mund të ketë qenë xhelozia, për shkak të një lidhjeje të pretenduar sentimentale të Urim Fikut, e cila dyshohet se ka shkaktuar konflikte mes tij, djalit dhe bashkëshortes.
Për ngjarjen është arrestuar edhe bashkëshortja e viktimës, 57-vjeçarja Sadete Fiku. Ndërkohë, Gazmir Fiku mësohet se prej më shumë se një dekade punonte si supervizor pranë OSHEE-së.
Sipas Policisë së Dibrës, dyshohet se 33-vjeçari dhe nëna e tij kanë bashkëpunuar në vrasjen e Urim Fikut, fillimisht duke e qëlluar me armë zjarri dhe më pas duke përdorur mjete të forta prerëse. Pas ngjarjes, ata dyshohet se janë përpjekur të fshehin krimin, duke e paraqitur vdekjen e 61-vjeçarit si pasojë të një sulmi nga një ari, i ndjekur nga kafshimi i kafshës.
Në njoftimin zyrtar, policia bëri me dije se dy personat janë ndaluar pasi dyshohen për vrasjen në bashkëpunim të 61-vjeçarit.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave, përcaktimin e rolit të secilit prej të dyshuarve dhe sigurimin e provave që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të krimit.

