Gjykata e Korçës ka dhënë dënimin për vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo, i cili humbi jetën më 14 gusht 2025 pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij, Enedjo Gurin, në fshatin Pirg të Maliqit.
Guri është dënuar me 12 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”. Sipas dosjes hetimore, konflikti mes dy të miturve kishte nisur pas një përplasjeje të mëparshme.
Në kuadër të të njëjtës çështje, gjykata ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg xhaxhain e Enedjo Gurit, Roland Gurin, ndërsa Flori Çela është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, pasi sipas dosjes ka ndihmuar Gurin të largohej me automjet nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, babai i Enedjo Gurit është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Korçës.
Pamjet filmike të administruara si prova në dosje kanë dokumentuar konfliktin mes dy të miturve. Sipas materialit hetimor, Enedjo Guri ka ndjekur Erald Xhejon duke mbajtur një thikë në dorë, ndërsa 14-vjeçari është përpjekur të mbrohet.
Gjatë përleshjes, Xhejo është goditur me thikë në kraharor. Plaga ka rezultuar fatale dhe 14-vjeçari ka humbur jetën.
Enedjo Guri ndodhet aktualisht në institucionin për të mitur në Kavajë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Korçës.
