Lajme Zone
Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, Apeli ul dënimin e autorit
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, Apeli ul dënimin e autorit

Gjykata e Apelit e Bolonjës ka ulur nga 17 në 15 vite burg dënimin për ish-të dashurin e Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare që humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u hodh nga ballkoni.

Gjykata e Apelit e Bolonjës ka ulur nga 17 në 15 vite burg dënimin për ish-të dashurin e Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare që humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u hodh nga ballkoni.

Vendimi është marrë nga seksioni për të miturit i Gjykatës së Apelit, ndërsa gjyqtarët kanë njohur rrethanat e përgjithshme lehtësuese si të barasvlershme me rrethanat rënduese të ngarkuara ndaj të miturit, i cili në kohën e krimit ishte vetëm 15 vjeç. Në dosje janë përfshirë edhe përndjekja dhe fakti që mes autorit dhe viktimës kishte ekzistuar një marrëdhënie sentimentale.

Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar një dënim prej 15 vitesh e 6 muajsh, duke marrë parasysh edhe rrëfimin e të riut, i cili kishte pranuar se ishte ai që e shtyu Aurorën nga ballkoni.

Megjithatë, vendimi i Apelit ka shkaktuar zemërim dhe zhgënjim te familja e 13-vjeçares. Avokati i nënës së viktimës, Emilio Malaspina, e cilësoi Aurorën si viktimën më të re në moshë të një femicidi në Evropë dhe shprehu pakënaqësinë e familjes për uljen e dënimit.

Reagimi më i fortë ka ardhur nga nëna e Aurorës, Morena Corbellini, e cila ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet çështja.

“Pastaj pretendojmë që femicidet të pakësohen? Ato do të shtohen gjithnjë e më shumë dhe edhe të miturit do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa shteti të ndërhyjë në mënyrë të vendosur dhe të drejtë. Gjithmonë do të bëhet më keq, vendimet jepen shkel e shko”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, arsyetimi i plotë i vendimit pritet të depozitohet brenda 90 ditësh dhe pritet të qartësojë se mbi cilat argumente juridike u bazua trupi gjykues për uljen e dënimit.

Një nga arsyet lidhet me mënyrën e përllogaritjes së dënimit në shkallën e parë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, dënimi prej 17 vitesh ishte llogaritur mbi një bazë prej 25 vitesh për veprën e vrasjes, ndërsa baza e saktë duhej të ishte 24 vite, e cila më pas reduktohej me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Tetëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë, familja e Aurorës përballet tashmë edhe me një tjetër goditje: dënimi i autorit është ulur me dy vite.