Lajme Zone
Vrasës me pagesë në TikTok e Signal, hetimi zbulon si i rekruton adoleshentët banda që dyshohet se punon edhe për regjimin iranian
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Vrasës me pagesë në TikTok e Signal, hetimi zbulon si i rekruton adoleshentët banda që dyshohet se punon edhe për regjimin iranian

Nga një 18-vjeçar që vrau personin e gabuar në Stokholm te një i ri norvegjez i arrestuar në Britani para se të kryente atentatin. Europol paralajmëron se modeli "i shërbimit të dhunës" po përhapet në të gjithë Europën.

Sipas BBC-së, një organizatë kriminale suedeze, e njohur si "Foxtrot Network", po përdor adoleshentë si vrasës me pagesë për të kryer atentate në disa vende të Europës, duke i rekrutuar përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të koduara të komunikimit. Sipas autoriteteve europiane, ky është modeli i ri i quajtur "Violence as a Service" (VaaS), ku grupet kriminale kontraktojnë të rinj për të kryer vrasje, ndërsa drejtuesit e organizatës qëndrojnë larg vendit të ngjarjes. Rasti që tronditi Suedinë ndodhi në shkurt të vitit të kaluar. Në një periferi të Stokholmit, studenti 20-vjeçar Murad Abdelkader po kthehej në shtëpi pas turnit të punës në McDonald's, kur një person i veshur me të zeza iu afrua dhe hapi zjarr disa herë. Sulmuesi, 18-vjeçari Atilla Azimov, e qëlloi për herë të fundit në kokë, ndërsa viktima ishte e shtrirë në tokë. Më vonë u zbulua se objektivi ishte personi i gabuar. LEXO edhe...Shkuan për një turne në Suedi, ‘zhduken’ 20 futbollistët e rinj afrikanë! Hetime për migrim të paligjshëm Sipas hetimeve, Azimov ishte rekrutuar nga "Foxtrot Network" dhe kishte pranuar të kryente vrasjen kundrejt pagesës. Ai u arrestua menjëherë dhe po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Autoritetet suedeze besojnë se që prej vitit 2022, "Foxtrot Network" ka qenë përgjegjës për rreth 35 vrasje, si edhe për një sërë sulmesh dhe tentativash ndaj objektivave izraelite në Europë, përfshirë sulme me granata dhe eksploziv. Sipas Europol, të rinjtë rekrutohen kryesisht në rrjetet sociale. Komunikimi zhvillohet në aplikacione të koduara si Signal, ndërsa mënyra se si marrin udhëzimet ngjan me videolojërat. Çdo detyrë jepet hap pas hapi, me emra të koduar dhe koordinata, duke e bërë procesin të ngjajë me një mision në një lojë kompjuterike. Kreu i Qendrës Europiane për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Europol, Andy Kraag, e ka cilësuar këtë fenomen si "outsourcing i llogaritur i vrasjeve", ku grupet kriminale shfrytëzojnë të rinj të pambrojtur për të kryer krime të rënda. Një tjetër rast që tregon mënyrën si funksionon rrjeti është ai i norvegjezit Johannes Natland. Ai u shpall fajtor këtë javë nga një juri në Londër për komplot për vrasje, pasi ishte dërguar në Britaninë e Madhe për të kryer një atentat pranë Huddersfieldit. Natland vinte nga një familje gazetarësh në Stavanger dhe kishte pasur një fëmijëri të qetë. Më vonë ai ra në kontakt me drogën, zhvilloi probleme të shëndetit mendor dhe përfi në rehabilitim e më pas në një qendër për të mitur. Pikërisht aty njohu një adoleshent tjetër, i cili përdorte pseudonimin "UnknownHustler". Ky i fundit i dërgoi një ofertë të publikuar në internet: "Vrasje në Angli – 270 mijë korona". Pas kësaj ai u lidh me një tjetër adoleshent, të njohur si "Generalen", vetëm 16 vjeç në atë kohë, i cili organizonte rekrutimin e vrasësve për llogari të "Foxtrot". Më pas Natland kaloi në kontakt me një person që përdorte pseudonimin "Agent 47", emër i marrë nga videoloja "Hitman". Sipas policisë suedeze, pas këtij pseudonimi dyshohet se fshihet Ali Shehad Ahmed, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të drejtuesit të "Foxtrot", Rawa Majid. "Agent 47" i rezervoi biletën vajtje për në aeroportin e Mançesterit dhe e ndihmoi të siguronte një pasaportë emergjente. Gjatë gjithë udhëtimit ai mori udhëzime përmes aplikacionit Signal. Kur mbërriti në Britani, një tjetër person me pseudonimin "1" i dërgoi harta, video dhe koordinata për të gjetur armët e fshehura në një zonë pyjore pranë Huddersfieldit. Më pas iu tregua edhe vendi ku ishte fshehur një shumë parash. Pasi u vendos në hotel, Natland mori një mesazh nga "Agent 47": "Nesër kemi shumë punë." Ai u arrestua mëngjesin tjetër nga policia britanike, përpara se t'i tregohej se kush ishte objektivi. Hetuesit ende nuk kanë arritur të përcaktojnë nëse atentati do të kryhej për llogari të krimit të organizuar apo si pjesë e një operacioni të lidhur me Iranin. Sipas hetimeve, "Generalen" kishte rekrutuar edhe adoleshentë të tjerë për vrasje në Suedi, përfshirë Atilla Azimovin dhe një 17-vjeçar që vrau Ahmed Zamzam në qytetin Lund. Asnjëri prej tyre nuk mori pagesën e premtuar. Gazetari investigativ i televizionit suedez SVT, Diamant Salihu, i cili ka studiuar prej tre vitesh aktivitetin e "Foxtrot", thotë se kjo është pjesë e mënyrës së funksionimit të organizatës. Sipas tij, drejtuesit nuk shqetësohen nëse adoleshentët arrestohen, pasi në atë rast nuk u paguajnë shumën e premtuar. Ai shton se organizata ka zgjedhur qëllimisht të rekrutojë gjithnjë e më shumë të mitur, sepse ata nuk mendojnë për pasojat dhe pranojnë më lehtë të marrin rreziqe. Hetimet zbuluan gjithashtu se "Generalen" po organizonte edhe vrasjen e djalit 14-vjeçar të një polici norvegjez. Ai kishte rekrutuar një 15-vjeçar dhe një 17-vjeçar për ta kryer sulmin me thikë, por njëri prej tyre njoftoi policinë. Pas arrestimit të "Generalen", në telefonin e tij u gjetën edhe të dhëna për planin e atentatit në Britani, çka çoi në arrestimin e Natland. "Generalen" u dënua në muajin maj me 14 vite burg. Sipas autoriteteve suedeze, drejtuesi i "Foxtrot", Rawa Majid, është larguar fillimisht në Turqi dhe më pas është vendosur në Teheran. Policia beson se pas mbërritjes në Iran ai ka krijuar lidhje me regjimin iranian dhe disa nga sulmet e organizatës janë kryer kundër objektivave që konsiderohen armiq të Teheranit, përfshirë disidentë, gazetarë opozitarë dhe objektiva izraelite. Britania vendosi sanksione ndaj Rawa Majid dhe "Foxtrot Network" në prill 2025. Për të luftuar këtë fenomen, Europol krijoi grupin operacional OTF GRIMM, ku marrin pjesë 11 vende europiane. Në 15 muaj janë kryer më shumë se 280 arrestime, mes tyre edhe ai i Ali Shehad Ahmed në Irak, i cili dyshohet të jetë "Agent 47". Ndërkohë, në Tunizi u arrestua edhe Mohamed "Moewgli" Mohdhi, një tjetër figurë e rëndësishme e organizatës. Megjithatë, drejtuesi i rrjetit, Rawa Majid, vazhdon të ndodhet në Iran dhe mbetet jashtë mundësive të autoriteteve suedeze. Hetuesit paralajmërojnë se edhe grupe të tjera kriminale, si rivali "Dalen Network", kanë nisur të përdorin të njëjtën metodë të rekrutimit të adoleshentëve për atentate, çka tregon se modeli "Violence as a Service" po përhapet me shpejtësi në Europë. U.D/ReportTv.al vrases europol Foxtrot Suedi Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.4% 100 bashki (PD) 16.1% 61 bashki (si sot) 27.5% Vota total: 2718 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?