Policia e Durrësit ka zbardhur vjedhjen e një banese në lagjen nr. 4 të qytetit, nga ku janë marrë shuma të mëdha parash dhe sende të tjera me vlerë.
Në pranga kanë rënë dy persona, një 51-vjeçar banues në Durrës dhe një 24-vjeçare banuese në Lushnjë, të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Sipas hetimeve, 51-vjeçari dyshohet se ka vjedhur nga banesa rreth 22 mijë euro, 800 mijë lekë, orë dore të markave të shtrenjta, bizhuteri, parfume, çanta luksoze dhe sende të tjera me vlerë. Pas vjedhjes, ai dyshohet se i ka dërguar sendet në banesën e 24-vjeçares në Lushnjë, e cila, sipas Policisë, kishte dijeni për ngjarjen dhe ka bashkëpunuar me të.
Gjatë kontrolleve në banesën e saj u gjetën dhe u sekuestruan një pjesë e sendeve të vjedhura. Ndërsa në banesën e 51-vjeçarit policia sekuestroi mjetet që dyshohet se janë përdorur për vjedhjen, maska, çelësa dhe veshjet e përdorura gjatë kryerjes së saj./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

