Policia e Tiranës ka arrestuar Robert Dukën, 50 vjeç, me origjinë nga Vlora, i dyshuar si autor i grabitjes së një filiali të bankës Raiffeisen në zonën e Komunës së Parisit.
50-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua pranë rrugës së Kosovarëve në Tiranë, pas disa ditësh hetime dhe verifikimesh për identifikimin e personit që kreu grabitjen.
Ngjarja ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45, kur një person i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e një sendi që ngjante me armë zjarri, arriti të marrë rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme.
Sipas të dhënave paraprake, grabitësi fillimisht kërcënoi punonjësin e sigurisë që ndodhej pranë hyrjes dhe më pas u drejtua drejt sporteleve. Aty iu afrua arkëtares, e kërcënoi me armë dhe i kërkoi të dorëzonte paratë. Pasi mori shumën, ai u largua me shpejtësi nga banka duke përdorur një monopatinë elektrike, në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”.
Menjëherë pas ngjarjes, policia mbërriti në vendin e grabitjes dhe nisi veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas arrestimit të Dukës, hetuesit po verifikojnë edhe dyshimet për përfshirjen e tij në një tjetër grabitje banke, të ndodhur disa muaj më parë në të njëjtën zonë të kryeqytetit.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e të dyja ngjarjeve dhe për të dokumentuar përfshirjen e mundshme të 50-vjeçarit.

