Reforma e administratës publike i besohet tashmë ministrisë përkatëse të drejtuar nga Adea Pirdeni, që pak ditë më parë u kthye me portofol. Vendimi i Këshillit të Ministrave specifikon fushën e veprimit dhe përgjegjësisë së kësaj ministrie që do të merret me menaxhimin e burimeve njerëzore, zhvillimin profesional të punonjësve, si dhe politikat e pagave dhe përfitimeve financiare. LEXO edhe...Paketa antidhunë/ Miratohen tre nismat e para, gjobë deri në 500 mijë lekë për të maskuarit e dhunshëm, hyjnë dhe në ‘listën e zezë’! Kompensim për bizneset Në themel të saj qëndrojnë merita dhe rezultatet, një reflektim i qeverisë nga protestat e flamingove që vazhdimisht kanë kërkuar që administrata publike të rekrutojë edhe persona që s’janë tashmë pjesë e saj. Ministria do të merret me thjeshtimin e procedurave administrative dhe reduktimin e barrës burokratike për qytetarët si dhe me rritjen e përgjegjshmërisë e transparencës. Një përgjegjësi e saj është edhe lufta kundër korrupsionit për “identifikimin, vlerësimin e minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk, si dhe monitorimin e zbatimit të politikave e të masave antikorrupsion.” Ministri do të ushtrojë edhe rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, si dhe do të jetë bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur. V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ADMINISTRATËS PUBLIKE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. 2. Misioni i Ministrisë së Administratës Publike është zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve, përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, forcimi i pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies, krijimi i kushteve dhe nxitja e ndërveprimit ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit. 3. Ministria e Administratës Publike, në përputhje me legjislacionin përkatës, ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore: a) Reformën e administratës publike; b) Menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin profesional në administratën publike; c) Politikat e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike; ç) Performancën institucionale të institucioneve të administratës shtetërore; d) Monitorimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimeve publike; dh) Thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për qytetarët; e) Garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore; ë) Qeverisjen e hapur në administratën shtetërore; f) Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. 4. Për realizimin e fushave të përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi, Ministria e Administratës Publike është përgjegjëse për: a) drejtimin dhe bashkërendimin e punës për hartimin e politikave, strategjive dhe akteve ligjore e nënligjore për reformën në administratën publike, si dhe ndjekjen e monitorimin e zbatimit të tyre; b) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për organizimin, funksionimin e modernizimin e institucioneve të administratës publike, si dhe ushtrimin, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, e kompetencave, të parashikuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore; c) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike, përfshirë rekrutimin mbi bazën e meritës, zhvillimin e karrierës, vlerësimin e rezultateve në punë dhe zhvillimin profesional, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike; ç) hartimin e politikave dhe propozimin e akteve për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet e të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe ushtrimin e kompetencave, që legjislacioni përkatës i njeh ministrit, nën përgjegjësinë e të cilit është Departamenti i Administratës Publike; d) hartimin dhe propozimin e rregullave e të metodologjive për performancën institucionale, bashkërendimin dhe monitorimin e zbatimit të sistemit të performancës në administratën shtetërore; dh) monitorimin e zbatimit të standardeve të shërbimeve publike, duke përfshirë, ndër të tjera, cilësinë, afatet, aksesin, informimin dhe përvojën e përdoruesit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse; e) hartimin dhe bashkërendimin e politikave e të masave për thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për qytetarët; ë) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore, krijimin e kushteve dhe nxitjen e ndërveprimit ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, personave fizikë e juridikë dhe grupeve të interesit, pavarësisht formës së tyre të organizimit, me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe ndërmarrjen e nismave, të projekteve ose të programeve të përbashkëta, që kanë si qëllim përfshirjen e qytetarëve; f) drejtimin e bashkërendimin e punës për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshirë identifikimin, vlerësimin e minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk, si dhe monitorimin e zbatimit të politikave e të masave antikorrupsion. 5. Ministria e Administratës Publike ushtron funksionet e bashkërendimit e të monitorimit, sipas këtij vendimi, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përgjegjëse, duke respektuar kompetencat e tyre, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore. 6. Ministri përgjegjës për administratën publike ka rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit. 7. Ministri përgjegjës për administratën publike është bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur. 8. Ministri përgjegjës për administratën publike ushtron çdo përgjegjësi tjetër shtetërore, që i ngarkohet me ligj, me akte të Këshillit të Ministrave dhe nga Kryeministri. 9. Vendimi nr.522, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin”, shfuqizohet. 10. Ngarkohet Ministria e Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. P.J/ReportTv.al vkm Ministria e Administratës Publike Komento Komente Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 73.4% Jo 23.6% Nuk e di 3% Vota total: 4423 Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?
