Lajme Zone
Vizita në Europë u kthye në mungesë dy mujore, rriten spekulimet për gjendjen shëndetësore të presidentit më jetëgjatë në botë, Paul Biya
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Vizita në Europë u kthye në mungesë dy mujore, rriten spekulimet për gjendjen shëndetësore të presidentit më jetëgjatë në botë, Paul Biya

Kur Paul Biya fitoi zgjedhjet e para presidenciale në Kamerun në vitin 1984, Nformi Bime ishte 23 vjeç dhe student. Sot Bime është 65 vjeç dhe në pension, ndërsa Biya, 93 vjeç, vijon të jetë president.

Kur Paul Biya fitoi zgjedhjet e para presidenciale në Kamerun në vitin 1984, Nformi Bime ishte 23 vjeç dhe student. Sot Bime është 65 vjeç dhe në pension, ndërsa Biya, 93 vjeç, vijon të jetë president. Vitin e kaluar ai fitoi një mandat të tetë, që mund ta mbajë në detyrë deri në moshën gati 100-vjeçare.

Biya është larguar nga Kameruni që prej 7 qershorit, për atë që zyra e tij e quajti një “qëndrim të shkurtër privat në Evropë”. Mungesa është bërë më e gjata e tij e pandërprerë nga vendi në vite.

Javën e kaluar, zëdhënësi i qeverisë René Emmanuel Sadi tha se Biya ndodhet në Gjenevë të Zvicrës, por hodhi poshtë spekulimet se ai ishte shtruar në spital për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, pa dhënë detaje të tjera.

Një president që shihet rrallë

Biya është presidenti i dytë i Kamerunit që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1960 dhe një nga liderët me shërbimin më të gjatë në botë. Ai mori pushtetin në vitin 1982 dhe fitoi zgjedhjet e para dy vjet më vonë. Që prej atëherë ka drejtuar vendin për më shumë se katër dekada.

Mungesat e tij të gjata jashtë vendit nuk janë të reja, por qëndrimi i fundit ka rikthyer shqetësimet për shëndetin e tij dhe mënyrën se si drejtohet vendi në mungesë të tij.

Thashethemet për shëndetin e presidentit kanë qenë të shpeshta. Në vitin 2024, qeveria ndaloi diskutimet mediatike për gjendjen e tij shëndetësore, duke i cilësuar çështje të sigurisë kombëtare.

Për miliona kamerunas, Biya është i vetmi president që kanë njohur. Abit Riassai Acha, 26 vjeç, thotë se presidenca e tij ka qenë pjesë e gjithë jetës së tij.

“Duke u rritur, Presidenti Biya ishte i vetmi president që njihja”, tha Acha, i cili në zgjedhjet e fundit mbështeti kandidatin e opozitës Samuel Hiram Iyodi.

Iyodi i ka kërkuar parlamentit të shqyrtojë nëse mungesa e gjatë e Biya-s përbën vakancë në presidencë, por një nismë e tillë ka pak gjasa të ketë sukses për shkak të dominimit të partisë në pushtet.

Pavarësisht mungesës, Biya ka vijuar të marrë vendime nga jashtë vendit, përfshirë një riorganizim të madh ushtarak. Zëdhënësi i qeverisë ka siguruar qytetarët se “Presidenti Paul Biya është gjallë” dhe “do të kthehet së shpejti”.

Nga shpresa në zhgënjim

Nformi Bime kujton kohën kur Biya shihej si një simbol ndryshimi. Kur ai u shfaq për herë të parë në fletën e votimit në vitin 1984, Bime e konsideronte “një përfaqësim të shpresës”.

Por pas më shumë se katër dekadash në pushtet, kritikët e Biya-s thonë se zhgënjimi lidhet jo vetëm me kohëzgjatjen e qeverisjes së tij, por edhe me problemet e pazgjidhura të vendit.

Analisti politik Collins Molua Ikome përmend gjendjen e keqe të rrugëve, ndërprerjet e energjisë, korrupsionin dhe mungesën e vendeve të punës për të rinjtë.

Profesori Wilson Tamfuh thotë se institucionet e Kamerunit mund të funksionojnë edhe kur presidenti delegon përgjegjësitë, por pyetja kryesore është nëse qeveria po zgjidh problemet e vjetra.

Mes tyre janë konflikti separatist në rajonet anglishtfolëse, sulmet e Boko Haram në veri, papunësia dhe vështirësitë ekonomike.

Kujdesi shëndetësor mbetet gjithashtu një shqetësim. Ikome thekson se shumë kamerunas nuk kanë akses në kujdes cilësor, ndërsa elitat politike, përfshirë presidentin, kanë mundësi të trajtohen jashtë vendit.

Për Bimen, pyetja është nëse do të jetojë për të parë një president tjetër. Pas dekadash pritjeje për ndryshim, ai shqetësohet se Biya mund të jetojë më gjatë se ai dhe shumë qytetarë të tjerë.

“Sa herë që kanë sëmundje, ata ikin jashtë vendit dhe kujdesen për ta, por kamerunasit e tjerë po vdesin për shkak të mungesës së kujdesit”, përfi ai. Top Channel