Foto Ilustruese / Vala e zgjedhjeve në Evropë, mund të shndërrohet në një kërcënim serioz për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Një kthesë e fortë e vendeve kryesore drejt së djathtës ekstreme, mund të përshpejtojë gërryerjen e integrimit dhe të krijojë kushtet për një shpërbërje të heshtur të Unionit... Me shpalljen e befasishme të zgjedhjeve të parakohshme në Spanjë, më 29 nëntor, nis një vit elektoral që rrezikon të çojë në krizë vetë projektin e integrimit evropian.
Gjatë vitit të ardhshëm, në vendet e BE-së janë parashikuar 8 procese zgjedhore kombëtare, 4 prej të cilave - në Francë, Itali, Poloni dhe Spanjë - zhvillohen në disa prej shteteve më të mëdha anëtare. Këtyre u shtohen Finlanda, Greqia, Estonia dhe Sllovakia.
Mes vendeve të mëdha evropiane, vetëm në Gjermani nuk pritet të ketë zgjedhje para vitit 2029, gjithnjë nëse koalicioni i madh i drejtuar nga kancelari Friedrich Merz arrin ta çojë mandatin deri në fund.
Por nëse në të gjitha këto vende vota do të anojë ndjeshëm drejt së djathtës ekstreme, projekti evropian mund të përballet me një proces shpërbërjeje.Dinamika politike e një vendi evropian ndikon, të paktën pjesërisht, edhe te të tjerët.
Në nivelin e BE-së, duke nisur nga përbërja e Këshillit Evropian, është vënë re tashmë një zhvendosje e qartë djathtas. Po aq e qartë është se një shumicë pro-evropiane në Parlamentin Evropian, e përbërë nga popullorët, socialistët, liberalët dhe të gjelbrit, ekziston tashmë vetëm në imagjinatën kolektive.
Shumica reale, e cila po shfaqet gjithnjë e më shpesh në qëndrime politike dhe vendime të përbashkëta legjislative, është haptazi euroskeptike dhe bashkon Partinë Popullore Evropiane me forcat e së djathtës ekstreme.
Për PPE-në është politikisht e leverdishme që ta mohojë këtë realitet, duke vazhduar të marrë legjitimitet nga fasada e një koalicioni pro-evropian, ndërsa përfiton politikisht nga një shumicë euroskeptike.
Vendimet e kësaj shumice alternative - për çrregullimin e rregullave, zmbrapsjen e politikave klimatike dhe bllokimin e qeverisjes digjitale, të gjitha të kamufluara pas sloganit të “konkurrueshmërisë” - janë shenjë e një gërryerjeje të ngadaltë të projektit të integrimit evropian.
Megjithëse e dobësuar, BE-ja ka arritur deri tani të mbijetojë falë faktit se zhvillimet politike brenda saj nuk kanë qenë të sinkronizuara. Këtë e kemi parë edhe gjatë muajve të fundit. Fillimisht ishin zgjedhjet në Holandë vitin e kaluar, ku e djathta ekstreme pësoi humbje, ndërsa liberalët u forcuan.
Më pas erdhi zgjedhja historike në Hungari dhe humbja e Viktor Orbán, e cila tregoi se sa gabim kishin ata, përfshirë mua, që druheshin se Hungaria kishte kaluar pikën e pakthyeshme drejt autoritarizmit.
Së fundmi, edhe zgjedhjet e fundit në Suedi sollën një dobësim të së djathtës ekstreme, e cila mbështeste nga jashtë qeverinë e qendrës së djathtë, ndërsa socialdemokratët u rikthyen në pushtet.
Nëse ka një ngushëllim të vetëm, sado i dobët, që ende nuk jemi “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, ai qëndron te fakti se ndryshe nga SHBA-ja, Evropa ruan një heterogjenitet politik që pengon ndryshimet e menjëhershme dhe radikale.
Ky ka qenë një kufizim për ambicien e integrimit evropian, por vitet e fundit ka shërbyer edhe si një barrierë kundër shpërbërjes.Por kjo barrierë mund të çahet. Është e besueshme, madje jo e pamundur, që të 4 vendet e mëdha evropiane që do të votojnë gjatë muajve të ardhshëm të shënojnë një zhvendosje të fortë drejt së djathtës ekstreme.
Kjo do të përbënte fillimisht një problem numerik për BE-në. Nëse 8 vendet që do të votojnë vitin e ardhshëm do të kalonin nën ndikimin e së djathtës ekstreme, duke iu shtuar vendeve ku ajo është tashmë në pushtet, nuk do të krijohej një shumicë e cilësuar e ekstremit të djathtë në Këshillin e BE-së.
Megjithatë, do të formohej një pakicë bllokuese, e aftë të rrëzonte përfundimisht ambicien për integrim evropian të përshkruar në raportet e Mario Draghit dhe Enrico Letta-s, të cilat edhe tani po përballen me vështirësi të mëdha për t'u zbatuar.
Por problemi nuk do të ishte vetëm sasior. Do të ishte mbi të gjitha cilësor. Qasja e Giorgia Melonit ndaj BE-së do të ishte ndoshta shumë ndryshe nëse rreth saj do të ishin Marine Le Pen, Jarosław Kaczyński dhe Alberto Núñez Feijóo, i mbështetur nga lideri i Vox-it, Santiago Abascal, në vend të Emmanuel Macronit, Donald Tuskut dhe Pedro Sánchezit, përkrah të cilëve ajo ka qëndruar në këto vite.
Një efekt nxitës dhe radikalizues drejt së djathtës do të ishte shumë i mundshëm, për të mos thënë i pashmangshëm. Në vend të gërryerjes së ngadaltë të projektit të integrimit, të cilën e kemi parë prej vitesh thuajse të pafuqishëm, mund të përballemi me diçka shumë më të shpejtë dhe radikale: një shpërbërje të heshtur të BE-së.
Ndoshta edhe atëherë do të vazhdonim të ngrinim supet, ndërsa kujtesa për të kaluarën tonë, të shënjuar nga nacionalizmat, dhuna dhe shkatërrimi, është zbehur gjithnjë e më shumë.
Paradoksi është se Britania e Madhe po nis të kuptojë sot karakterin vetëshkatërrues dhe antikombëtar të nacionalizmave. Vendi që ishte i pari që iu dorëzua sirenave të një sovranizmi të rremë, po fillon ngadalë ta pranojë atë që ishte një gabim kolosal, pikërisht në një kohë kur shtete të tjera të mëdha evropiane rrezikojnë të bien në të njëjtin kurth fatal./Pamfleti nga “La Stampa” Shënim: Nathalie Tocci, është drejtore e Institutit për Çështjet Ndërkombëtare (IAI) në Romë dhe profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare.
viti elektoral bashkimi evropian Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike “I ke ngopur kaq vite", Zegjine Çaushi sherr me Baçin: Aman fierakët lërja Bardhit se ai i ka merak! 8 Tetor 2026, 12:2712:27Politike "Do keni fatin e Ramës", Berisha: Olta Xhaçka çoi burrin në SPAK sot, por trafikun e bënë bashkë 8 Tetor 2026, 12:2112:21Politike "S’do merrni asnjë bashki, jemi të fortë"/ Përplasje e ashpër Berisha-Klosi në Kuvend: Ti je sllav bixhozi 8 Tetor 2026, 12:1912:19Politike Përplasje të forta në Parlament, Bardhi shpërthen ndaj Peleshit: Je zar i Ramës (Video) 8 Tetor 2026, 12:1212:12Politike "Janë turpi i turpeve", Berisha-socialistëve: Videot e Adi Hilës janë lule para atyre që keni ju me Ergys Agasin 8 Tetor 2026, 11:5611:56Politike “Nuk ju vjen turp!”/ Bardhi përplaset me mazhorancën në Kuvend, Garda afrohet te foltorja 8 Tetor 2026, 11:5011:50Politike

