Vinicius Junior rrezikon të mungojë në dy deri në katër ndeshje të Real Madridit pas kartonit të kuq ndaj Villarrealit. Sipas mediave spanjolle, masa e dënimit do të varet nga mënyra se si Komiteti i Disiplinës do të vlerësojë veprimin e brazilianit ndaj kundërshtarit dhe sjelljen e tij pas përjashtimit nga fusha.
Procesverbali i gjyqtarit Isidro Díaz de Mera ka zbardhur arsyet e ndëshkimit të sulmuesit madrilen. Vinicius u përjashtua në minutën e 71-të, pasi tërhoqi nga flokët një lojtar të Villarrealit, episod që u rishikua edhe përmes VAR-it.
Në raportin e tij, gjyqtari shpjegon se veprimi ndodhi me topin në lojë, por pa qenë ai në garë mes dy futbollistëve. Ky detaj mund të ndikojë në përcaktimin e dënimit, pasi rregullorja spanjolle parashikon masa të ndryshme në varësi të rrethanave të incidentit.
Një tjetër element që mund ta rëndojë situatën e Viniciusit është reagimi pas kartonit të kuq. Sipas procesverbalit, braziliani vijoi të protestonte me zë të lartë dhe iu drejtua në mënyrë agresive zonës ku ndodhej gjyqtari, ndërsa shokët e skuadrës u detyruan ta mbanin.
Në varësi të mënyrës se si do të klasifikohen këto veprime, sulmuesi mund të përballet me një pezullim nga dy deri në katër ndeshje. Vendimi përfundimtar i Komitetit të Disiplinës do të përcaktojë se sa takime do të humbasë lojtari i Real Madridit.
