Lajme Zone
Vila Bimbeli
EkonomiReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Vila Bimbeli

Vendasit e njihnin si Vila Bimbeli. Vila, nje godinë e madhe e vendosur në Dassia shumë afër me vijën e bregut ishte ndërtuar rreth fillimit të shekullit XX nga një aristokrat italian. Ajo qëndronte ende në këmbë, megjithëse koha kishte lënë gjurmët e saj.

Mes vapës së rëndë të korrikut dhe zhurmës shurdhuese të gjinkallave mbërrita në shtëpinë e një prej miqve të mi më të vjetër në Korfuz. Ai ishte ndarë nga jeta dimrin e kaluar dhe fëmijët kishin mbledhur, në një ceremoni të thjeshtë e private, njerëzit që e kishin shoqëruar për dekada në Korfuz, në Angli e deri në Irlandën e largët, vende ku kishte pasur një jetë të pasur shoqërore. Ishim njohur në fillim të viteve 1990, krejt rastësisht, në një ngjarje që kishte lidhje me Shqipërinë. Që prej asaj dite mbetëm miq, megjithëse na ndante një diferencë e madhe moshe. Vila e tij në Korfuz ishte bërë një lloj oazi. Aty mblidheshin njerëz të pazakontë, me interesa nga më të ndryshmet, dhe Shqipëria përmendej gjithmonë me simpati. Në vitet kur shqiptarët mbërrinin në ishull me not ose me varka, të lodhur e të frikësuar, ai kishte ndihmuar shumë prej tyre, edhe pse në atë kohë emri i shqiptarëve nuk gëzonte aspak reputacion të mirë. LEXO edhe...Auron Tare: Ura, mes historisë dhe Kohës së Mbretit Ceremonia mbaroi. U enda pak nëpër kopshtin e lënë pas dore. Përkëdhela qentë e tij, të cilët, siç mora vesh, do të largoheshin drejt Evropës për t'u marrë në kujdes nga familjarët, tani që njeriu që ishte kujdesur për ta për vite me radhë nuk jetonte më. Vila dukej e zbrazët. I përshëndeta ata që njihja dhe nisa të zbrisja në këmbë drejt rrugës së ngushtë që të nxjerr në aksin kryesor. Pas afro tridhjetë vitesh, gjatë të cilave kisha ardhur dhjetëra herë në atë shtëpi, po largohesha me ndjesinë se nuk do të kthehesha më. Bashkë me mikun tim nuk ishte zhdukur vetëm një vend i mbushur me kujtime, me të ishte shuar edhe një urë që lidhte të tashmen me një pjesë të rëndësishme të historisë. Teksa ecja drejt makinës së parkuar në një rrugicë pranë vilës, më erdhi ndër mend një kujtim i largët. Vite më parë, në atë shtëpi, kisha takuar një anglez të moshuar. Ishte ish-ushtarak, pak i heshtur, por me një humor të hollë dhe me atë qetësinë karakteristike të njerëzve që dinë shumë, por flasin pak. Quhej Alan Hare. Miku im ma prezantoi thjesht si një mik të vjetër. Më tha se kishte qenë kryetar i bordit të Financial Times, se vinte nga një familje aristokrate anglo-irlandeze dhe se kishte drejtuar për një periudhë një prej kantinave më të njohura të verës në Francë. Tashmë, në pension, vinte here pas here në Korfuz. Më tha se e njihte Shqipërinë. Kishte qenë aty në vitin 1991 për disa ditë. Në atë kohë, kur vendi sapo kishte dalë nga izolimi, askush nuk interesohej për historitë e së kaluarës dhe as unë nuk isha ende mjaftueshëm i zhytur në labirintet e historisë shqiptare që të kuptoja se kë kisha përballë. Ende nuk kisha takuar David Smiley-n dhe as ish-oficerët e tjerë britanikë të SOE-së. Ne ate kohe emri Alan Hare nuk më thoshte asgjë. Takimi ynë zgjati pak dhe, me kalimin e viteve, kujtimi mbeti i turbullt. Shumë kohë më vonë, kur nisa të hulumtoj në arkivat britanike dhe amerikane, emri i Alan Hare u shfaq papritur në dosjet e operacioneve sekrete britanike në Shqipëri gjatë viteve 1949–1953. Atëherë zbulova se ai kishte qenë pjesëtar i misioneve të SOE-së gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesë e ekipit të gjeneralit Edmund "Trotsky" Davies, i cili u kap rob nga gjermanët. Hare kishte arritur t'i shpëtonte rrethimit të Aziz Biçakut në zonën e Martaneshit dhe, gjysmë i ngrirë, ishte strehuar në shtëpinë e Ihsan Toptanit në Kamëz. Në vitin 1949, i thirrur nga miku i tij i vjetër David Smiley, ai u rikthye në Greqi si pjesë e operacionit të MI6 kundër regjimit komunist shqiptar. Dokumentet tashmë të deklasifikuara tregojnë se Alan Hare mori detyrën të ngrinte dhe të drejtonte një nga qendrat kryesore të komunikimit midis MI6 dhe grupeve shqiptare që infiltronte në territorin shqiptar. Ai zgjodhi Korfuzin. Pikërisht këtu ngriti bazën e radios. Në kujtimet e David Smiley-t përmendet vazhdimisht një vend me emrin "Villa Roze". Aty, Smiley, që drejtonte operacionet nga Athina, Alan Hare dhe Ihsan Toptani prisnin me ankth çdo sinjal radioje që vinte nga malet shqiptare. Sipas dokumentacionit kjo qender ishte aq secrete sa qe sherbimi grek nuk kishte asnje dijeni per egzistencen e saj. Për vite me radhë e kam ndjekur historine e Operacioneve anglo -amerikane nëpër arkiva. Kisha fatin të takoja David Smiley-n dy herë në Londër dhe, falë një miku të përbashkët, të merrja edhe një pjesë të dorëshkrimeve të tij. Fola me pothuajse të gjithë të mbijetuarit e këtyre operacioneve. Shkova edhe në Maltë për të parë fortesën ku britanikët stërvitnin shqiptarët e rekrutuar në kampet e refugjatëve të Napolit dhe Barit, përpara se t'i hidhnin me parashutë në Shqipëri. Megjithatë, një enigmë mbetej pa përgjigje. Nuk po arrija të gjeja "Villen Roze" ne Korfuz. Një pasdite vjeshte, ndërsa po pinim kafe në kopshtin e mikut tim në Korfuz, e pyeta nëse dinte ndonjë gjë per nje Vile te tille. Ai ishte nje prej pjestareve me te vjeter te komunitetit britanik ne Korfuz dhe njihte gati cdo vile te ngritur nga britaniket pas Lufte. Ai më dëgjoi pa më ndërprerë. Pastaj buzëqeshi. "OK," tha. "Let's go." "Ku?" – e pyeta. "Te Villa." "Dëshiron ta shohësh?" Pak minuta më vonë hipëm në makinën e tij me timon në të djathtë dhe ndaluam përpara një vile të vjetër. Vendasit e njihnin si Vila Bimbeli. Vila, nje godine e madhe e vendosur në Dassia shumë afer me vijën e bregut ishte ndërtuar rreth fillimit të shekullit XX nga një aristokrat Italian. Ajo qëndronte ende në këmbë, megjithëse koha kishte lënë gjurmët e saj. Ndërsa ecnim nëpër godinën e braktisur, miku im u kthye nga unë. "E mban mend zotërinë që takove dikur tek unë?" "Po." "Ai jetoi këtu për një kohë të gjatë." Vetëm atëherë e kuptova se Burri i qetë që kisha takuar në vitin 1993 ose 1994 nuk ishte thjesht një aristokrat anglez në pension. Ishte Alan Hare i MI6, njeriu që kishte drejtuar nga kjo vilë komunikimet sekrete me grupet britanike të infiltrimit në Shqipëri. Kjo histori m'u rikthye e gjitha ndërsa largohesha për herë të fundit nga shtëpia e mikut tim, i cili nuk ishte më. Prandaj perpara se të largohesha nga Korfuzi vendosa t'i hidhja edhe një herë sytë Vilës Bimbeli, si një kujtim të largët të “aventurës” sonë të përbashkët në kërkim të një copëze historie. Shtëpia rrinte e heshtur nën hijen e selvive, ashtu siç kishte qëndruar për më shumë se një shekull, duke ruajtur sekretet e njerëzve që kishin hyrë e dalë prej saj. Dikur kishte qenë shtepi aristokratësh, ushtarakësh, agjentësh të fshehtë dhe udhëtarësh të rastit. Sot ishte thjesht një godinë e plakur, që pak kush e dinte se çfarë historie mbante brenda mureve të saj. Eca ngadalë nëpër kopsht dhe mendova se, në fund të fundit, historia nuk humbet vetëm kur digjen arkivat apo shemben ndërtesat. Ajo humbet edhe kur largohen njerëzit që e kanë jetuar. Me vdekjen e mikut tim ishte mbyllur një kapitull ku për gati tri dekada, kisha hyrë në një botë kujtimesh, bisedash dhe rastësish të jashtëzakonshme. Në shtëpine e tij kisha njohur njerëz që kishin qenë protagonistë të historisë, pa e ditur në atë kohë se çfarë peshe mbanin emrat e tyre. Vetëm vite më vonë, kur shfletova arkivat fillova te kuptoj se shumë prej përgjigjeve që kërkoja prej kohësh i kisha pasur dikur përballë, ulur në të njëjtën verandë, duke pirë një gotë verë. Ndoshta ky është privilegji më i madh i kërkimit historik. Jo zbulimi i një dokumenti të panjohur, por mundësia për të lidhur fijet e kujtesës me ato të arkivave, derisa e shkuara të marrë përsëri frymë. Teksa u largova nga Vila Bimbeli, më dukej sikur po lija pas jo vetëm një shtëpi, por një copëz të vogël të shekullit XX. Një copëz historie që, falë disa njerëzve të jashtëzakonshëm dhe pak rastësive të lumtura, pata fatin ta prek me dorë. Share P.J/ReportTv.al auron tare vila bimbeli Komento Komente Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 34.1% Jo 60.4% Nuk e di 5.5% Vota total: 797 Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?