Studentët në Tiranë kanë vijuar këtë të mërkurë bojkotin e mësimit dhe protestat, një ditë pas demonstratës që zgjati rreth nëntë orë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë dalë në protestë dhe kanë nisur marshimin, ndërsa grumbullime janë raportuar edhe te Fakulteti i Ekonomisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës. Në reagim janë përfshirë edhe gjimnazistë. Gjatë zhvillimeve janë djegur kosha mbeturinash, ndërsa situata vijon të ndiqet në terren. Protesta e së martës nisi para Ministrisë së Arsimit dhe më pas u shtri në zona të tjera të kryeqytetit. Gjatë saj u regjistruan përplasje mes studentëve dhe policisë, si dhe incidente e dëmtime të pronës. Bojkoti i kësaj të mërkure vjen pas thirrjes së bërë një ditë më parë për mobilizimin e studentëve. Vijimi i protestave në disa institucione arsimore pritet të tregojë shtrirjen e reagimit studentor gjatë ditës.
