Lajme Zone
Videot intime, ekspertja e IT-së në Politiko: Mund të jetë komprometuar një sistem që lidhet me shumë kamera
PolitikëPolitiko

Videot intime, ekspertja e IT-së në Politiko: Mund të jetë komprometuar një sistem që lidhet me shumë kamera

Suela Gjidede Publikimi dhe shpërndarja masivisht e videove me përmbajtje intime që kanë përfshirë mes tyre edhe personazhe të njohura të artit shqiptar ditët e fundit, ka hapur shtigje të reja debatesh lidhur me mënyrën se si këto materiale kanë përfunduar në rrjet. Përtej bujës së krijuar, ka ende paqartësi nëse bëhet fjalë për raste të izoluara apo për një cenim më të gjerë të sistemeve të kame

Suela Gjidede Publikimi dhe shpërndarja masivisht e videove me përmbajtje intime që kanë përfshirë mes tyre edhe personazhe të njohura të artit shqiptar ditët e fundit, ka hapur shtigje të reja debatesh lidhur me mënyrën se si këto materiale kanë përfunduar në rrjet. Përtej bujës së krijuar, ka ende paqartësi nëse bëhet fjalë për raste të izoluara apo për një cenim më të gjerë të sistemeve të kamerave dhe materialeve të ruajtura online.

Ekspertja e IT-së, Denisa Kele në një intervistë për Politiko.al thekson ndër të tjera se ekziston mundësia e një hakerimi të centralizuar, për shkak se kamerat moderne janë të lidhura me internetin, cloud-in dhe sisteme të administrimit në distancë. Në intervistën për Politiko.al , Kele sqaron mënyrën se si mund të jetë siguruar aksesi te materialet virale të momentit, si dhe për mundësinë që të ekzistojnë edhe video të tjera që nuk janë bërë ende publike në kanale të mbyllura dhe platforma online.

Ekspertja ngre po ashtu alarmin se janë hasur sinjale për materiale të tjera që mendohet se lidhen me persona në Shqipëri, përfshirë edhe figura publike dhe politikanë, por shton se autenticiteti i tyre dhe identiteti i personave të përfshirë nuk mund të konfirmohen pa një verifikim teknik.

Sipas saj, disa materiale dyshohet se ofrohen kundrejt pagesës, çka ka ngriur një tjetër pistë që duhet hetuar, atë të një mekanizmi të mundshëm shpërndarjeje me qëllim përfitimi financiar prej tyre. Intervista: Ju keni deklaruar se dyshoni për një hakerim të centralizuar. Si mund të përfjnë videot e regjistruara nga kamera në duart e një grupi hakerash?

Kur kam folur për një hakerim të mundshëm të centralizuar, kam folur për një hipotezë teknike, jo për një përfundim të hetimit. Edhe vetë zoti Hila ka deklaruar në polici se kamerat ishin instaluar prej disa vitesh, se regjistronin dhe fshinin pamjet dhe se ai nuk kishte shkarkuar materialet e publikuara. Teknikisht, një kamera sot nuk është thjesht një pajisje që filmon. Shumë sisteme janë të lidhura me internetin, me aplikacione, cloud, serverë ose sisteme të administrimit në distancë. Nëse komprometohet fjalëkalimi, llogaria cloud, vetë pajisja, serveri ku ruhen të dhënat apo infrastruktura e një kompanie që administron shumë pajisje, një sulmues mund të fitojë akses në materialet e ruajtura.

Ajo që më ka bërë të ngre këtë hipotezë është mënyra dhe dinamika me të cilën materialet janë shfaqur dhe shpërndarë. Por përgjigjen përfundimtare duhet ta japë analiza forenzike nga cili sistem kanë dalë, kur janë marrë, kush ka pasur akses dhe nëse kemi një pajisje të vetme të komprometuar apo një problem më të gjerë. Nëse hipoteza e hakerimit të centralizuar konfirmohet, çfarë përmasash mund të ketë problemi?

Nëse konfirmohet se nuk është komprometuar vetëm një kamera apo një llogari individuale, por një server, një sistem cloud apo një infrastrukturë që lidhet me shumë pajisje, atëherë përmasat e këtij skandali mund të jenë shumë të mëdha.

Në atë moment nuk flasim më vetëm për videot që kemi parë këto ditë. Duhet të pyesim: Sa pajisje kanë qenë të lidhura me atë sistem? Për sa kohë ka ekzistuar aksesi? Sa material është marrë? A është shkarkuar dhe ruajtur diku tjetër? Dhe, mbi të gjitha, sa njerëz mund të jenë cenuar pa e ditur ende?

Pikërisht këtu është shqetësimi im. Në sigurinë kibernetike, ajo që del publikisht nuk është domosdoshmërisht e gjithë ajo që është vjedhur. Prandaj do të ishte gabim ta trajtonim këtë vetëm si një histori rozë apo si skandal të disa personazheve publikë. Nëse kemi një cenim më të gjerë të sistemeve të kamerave, kemi një çështje serioze të sigurisë dhe privatësisë.

A mund të jenë aktualisht në qarkullim edhe materiale të tjera intime të njerëzve në Shqipëri pa dijeninë e tyre?

Po. Dhe kjo është pjesa që më shqetëson.

Nga kërkimet, verifikimet dhe sinjalizimet që kemi marrë këto ditë, rezulton se ekziston një volum më i gjerë materialesh që lidhen me Shqipërinë dhe jo vetëm ato pak video që janë bërë virale. Kemi pasur sinjale edhe gjatë ditës së sotme se materiale vazhdojnë të qarkullojnë në kanale të mbyllura, Telegram dhe faqe të tjera.

Kjo nuk do të thotë se mund të konfirmojmë autenticitetin e çdo materiali apo identitetin e çdo personi që pretendohet se shfaqet në të. Kjo kërkon verifikim teknik. Por po, ka indikacione serioze se qarkullimi është më i gjerë sesa ajo që publiku ka parë deri tani.

Dhe këtu dua të ndryshojmë pak këndvështrimin. Pas çdo videoje mund të jetë një njeri që nuk ka dhënë kurrë pëlqimin që momenti më privat i jetës së tij të shihet nga mijëra njerëz. Nuk ka rëndësi nëse është artist, politikan apo një qytetar i panjohur. Në momentin që materiali është marrë ose shpërndarë pa pëlqimin e tij, kemi një cenim shumë serioz të privatësisë.

Keni deklaruar se keni identifikuar edhe persona të tjerë nga politika dhe se videot e tyre janë ende të aksesueshme me pagesë. Çfarë mund të na thoni më tepër?

Mund të konfirmoj se gjatë kërkimeve janë hasur referenca dhe materiale që pretendohet se lidhen edhe me persona të tjerë publikë, përfshirë persona nga politika. Nuk do të përmend emra dhe nuk do të konfirmoj identitete, sepse do të ishte e papërgjegjshme profesionalisht dhe njerëzisht ta bëja këtë pa një verifikim forenzik.

Ajo që mund të them është se disa prej këtyre materialeve ose pretendimeve për materiale janë shfaqur në ambiente ku përmbajtja ofrohet edhe kundrejt pagesës. Pikërisht ky element duhet hetuar seriozisht, sepse mund të tregojë se përtej publikimit viral mund të ekzistojë edhe një mekanizëm shpërndarjeje apo përfitimi financiar.

Një pjesë e ekspertëve dhe miqve tanë po punojnë individualisht për të identifikuar dhe raportuar kanalet dhe faqet ku materialet vazhdojnë të shfaqen, në mënyrë që të kërkohet mbyllja e tyre dhe heqja e videove, aty ku kjo është teknikisht e mundur. Edhe strukturat e Krimit Kibernetik po hetojnë burimin e materialeve dhe personat e përfshirë në publikimin dhe shpërndarjen e tyre./ Politiko.al/ Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm