Lajme Zone
BotëBalkanWeb

VIDEO – Zgjedhjet në Gjermani/ Auron Dodi nga DW: E majta fiton Berlinin, AfD në MV. Ç’bën Merz?


Zgjedhjet rajonale në Gjermani kanë sjellë një tjetër tronditje për politikën tradicionale, me forcimin e partive në skajet e spektrit politik dhe një rezultat të dobët për CDU-në e kancelarit Friedrich Merz. Në Berlin, fitorja e së Majtës ka hapur negociatat për formimin e qeverisë së re, ndërsa në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore AfD-ja doli forcë e parë, edhe pse pritet të mbetet në opozitë.

Zgjedhjet rajonale në Gjermani kanë sjellë një tjetër tronditje për politikën tradicionale, me forcimin e partive në skajet e spektrit politik dhe një rezultat të dobët për CDU-në e kancelarit Friedrich Merz. Në Berlin, fitorja e së Majtës ka hapur negociatat për formimin e qeverisë së re, ndërsa në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore AfD-ja doli forcë e parë, edhe pse pritet të mbetet në opozitë. Për të kuptuar reagimin e kancelarit Merz, pasojat e këtyre rezultateve dhe se çfarë pritet të ndodhë në politikën gjermane në vijim, News24 bisedoi me gazetarin e Deutsche Welle, Auron Dodi. Si reagoi Berlini zyrtar për rezultatin?

Auron Dodi: Kancelari Friedrich Merz e pranoi përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm pjesërisht. Ai pranoi të hënën (21.09.) që pakënaqësia ndaj qeverisë së tij dhe mospëlqimi i performancës së tij kontribuan në “rezultatin dramatik” për CDU-në. Por tha se shkaqet shkojnë „shumë përtej meje personalisht“. Ai kujtoi se Gjermania po përjeton një „ndryshim të thellë të sistemit të partive politike“, ashtu si edhe vende të tjera. Merz-i u shpreh se mbi 40 përqind e votuesve në landin e Berlinit, votuan për forca që i quajti „destruktive“, ku përfshiu edhe Të Majtën; forca që duan t’i „joshin njerëzit me zgjidhje radikale dhe të thjeshta“. Por, tha ai, „kushdo që ka qeverisur ndonjëherë e di se nuk ka zgjidhje të thjeshta.“ Kancelari pranoi se trajtimi i shqetësimeve për punën, familjen dhe shëndetin është „përgjegjësi historike“, e koalicionit të tij dhe e partive të qendrës. Por tha se nuk do të lëvizë nga strategjia e reformave. Shtoi se përgatitja e vendit për të ardhmen është detyrë e të gjithë qendrës politike. Në fakt, në landin Meklenburg-Pomerani Perëndimore, CDU-ja për herë të parë që nga viti 1949 mbeti jashtë parlamentit të një landi. Kurse AfD-ja doli edhe atje e para (pas fitores në Saksoni-Anhalt) dhe mori 38 përqind. Ndërsa në landin e Berlinit, CDU humbi gati dhjetë pikë, po ashtu përballë AfD-së. Me 18,8 përqind CDU-ja përfi në Berlin pas partisë E Majta (Die Linke).

Skajet politike po forcohen qartë në rajonet e Gjermanisë, ndonëse janë larg pushtetit qendror. Merz ka premtuar edhe herë tjetër hapa. Çfarë do të jetë ndryshe tani?

Pyetje e kuptueshme. Gjermania ndodhet në një proces shndërrimi, para sfidave madhore ekonomike dhe politike. Ende është në pozitë më të mirë krahasuar me fqinjët. Po çelësin e vetëm të artë, për zgjidhjet, askush nuk e ka vërtet.

Debati në Gjermani nuk është vetëm sa reforma duhen bërë, por edhe sa sociale duhet të mbetet politika e qeverisë.

Këtu CDU-ja ka fërkime me socialdemokratët, partnerët e saj më të vegjël në qeveri. Sepse SPD nuk dëshiron që të jetë baza e saj elektorale që të mbajë peshën më të madhe të reformave.

Fakti që Merz-i i falënderoi këtë javë shprehimisht socialdemokratët, që do të rrinë në qeverinë qendrore, tregon se vazhdimi i koalicionit nuk është i vetëkuptueshëm. Po ky, mendoj, se është edhe një sinjal ndaj socialdemokratëve, që reformat e miratuara bashkërisht në qeveri t’i mbështesin edhe kur të diskutohen në parlamentin federal, në Bundestag.

Socialdemokratëve u dha zemër tani edhe rezultati i fortë i Manuela Schwesigut në Mecklenburg-Pomerani-Perëndimore. Schwesig është kundër reformave të qeverisë për pensionet. Njëkohësisht: as SPD-ja dhe as CDU-ja nuk mund t’ia lejojnë vetes një krizë qeveritare përballë sondazheve.

Çfarë hapash të tjerë priten nga CDU?

Kjo mbetet të shihet. Një diskutim për ta ndërruar kancelarin nuk ka në medie. Asnjëri nga konkurrentët potencialë nuk ka vendosur ta sfidojë kancelarin aktualisht. Po, pas 16 muajsh në detyrë, mbështetja për Merzin është në një nivel të ulët historik.

Ka kritika për drejtimin e partisë, edhe brenda CDU-së. P.sh. krahu i punëmarrësve dhe krahu social i CDU-së kërkuan këtë javë që partia t’u kushtojë më shumë vëmendje çështjeve sociale. Kryetari i krahut të punëmarrësve në CDU, Dennis Radtke, tha se CDU-ja duhet të kuptojë më mirë se si po përballen qytetarët me rritjen e kostos së jetesës.

Kurse kryeministri i landit të Hessenit, nga landet më të pasura, Boris Rhein, u shpreh kundër çdo ideje të rritjes së taksave. Por kërkoi gjithashtu që problemet konkrete të përditshmërisë së qytetarëve të vendosen në qendër të politikës.

Ish-politikani i lartë i CDU-së, Elmar Brok, kritikoi ndikimin e madh të krahut ekonomik në CDU. Ai paralajmëroi se një kurs thjesht liberal në ekonomi mund ta dëmtojë rëndë CDU-në.

Po në landin e Berlinit dhe në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, çfarë po ndodh pas zgjedhjeve?

Partia E Majta, që i fitoi në Berlin zgjedhjet qartë, me 25,7 përqind, po përpiqet të krijojë një qeveri me Të Gjelbrit dhe me SPD. Janë zhvilluar bisedime joformale midis kësaj partie dhe Të Gjelbërve.

Por para negociatave të rregullta duhet të sqarohen çështje delikate. Ndër to janë antisemitizmi, i pranishëm, me sa duket, në disa pjesë të partisë E Majta; si dhe kërkesa e kësaj partie për ta zgjidhur problemin e madh të banesave në Berlin edhe duke i kaluar në pronë shoqërore pasuritë e kompanive të mëdha të banimit.

Në nivel qendror, kancelari Merz paralajmëroi paraqitjen e një ligji pengues federal, nëse do të synohet vërtet shtetëzimi në Berlin, nga partia E Majta.

Pra mbetet e paqartë, nëse Elif Eralp, drejtuesja me origjinë turke e partisë E Majta, do të drejtojë Berlinin?

Po. Disa politikanë Të Gjelbër dhe socialdemokratë kanë rezerva ndaj një aleance me partinë E Majta. Në fakt, shifrat mjaftojnë që Berlinin ta qeverisin edhe CDU, Të Gjelbrit dhe socialdemokratët. CDU doli e dyta në Berlin, me 18,8 përqind, AfD doli e treta, me 16,3 përqind, po me të nuk formojnë koalicion. (Të Gjelbrit e SPD dolën të katërtët e të pestët, me 14,3 përqind dhe 12,1 përqind)

Po situata në landin Mecklenburg-Pomerani Perëndimore?

Dy ngjarjet e bujshme në landin e vogël lindor të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore ishin dalja numër 1 atje e AfD-së – dhe moshyrja dot e CDU-së në parlament.

AfD-ja i fitoi zgjedhjet rajonale me 38,2% dhe arrin 45% të mandateve në parlamentin e landit. Por do të rrijë në opozitë, duke bërë presion që atje, meqenëse asnjë parti nuk do bashkëpunim me të.

Kështu që pritet që socialdemokratët, nën kryeministren Manuela Schwesig, që dolën të dytët, me 35,5 %, të vazhdojnë ta qeverisin landin.

Do të pasojnë negociata të saj me partinë E Majta dhe me Të Gjelbrit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: auron dodi gjermani Zgjedhjet