Ish-ministri hungarez i Kulturës dhe Inovacionit, aktualisht deputet i Fidesz-it, Hankó Balázs, është paraqitur të enjten në Gjykatën e Rrethit të Kecskemétit me pranga dhe nën shoqërimin e autoriteteve, ndërsa gjyqtari i hetimeve pritet të vendosë për arrestimin e tij në kuadër të një hetimi penal lidhur me shpërndarjen e fondeve të Fondit Kombëtar të Kulturës. Sipas raportimeve të mediave hungareze, Hankó u shoqërua në gjykatë nga punonjës të Administratës Kombëtare Tatimore dhe Doganore (NAV). Para sallës së gjyqit, gazetarët e pranishëm u mbajtën në distancë nga autoritetet.
I pyetur se si ishte ndjerë gjatë qëndrimit në paraburgim, ish-ministri, i cili ishte i prangosur, u përgjigj shkurt: “Kam deklaruar gjithçka.” View this post on Instagram Hankó qëndroi rreth 15 minuta në sallën e gjyqit dhe më pas u rikthye për seancën së bashku me avokatin e tij.
Sipas dyshimeve të autoriteteve hetimore, Hankó, gjatë kohës që ishte ministër i Kulturës, ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vendosjen dhe shpërndarjen e qindra fondeve të NKA-së, të cilat, sipas hetimit, në vend që të përdoreshin për qëllime kulturore, dyshohet se kanë shërbyer për fushatën zgjedhore të Fidesz-it ose për qëllime private të përfituesve.
Prokuroria kishte kërkuar javën e kaluar heqjen e imunitetit parlamentar të deputetit. Parlamenti hungarez e miratoi kërkesën të hënën, duke i hapur rrugë procedimit penal ndaj tij.
Pas vendimit të parlamentit, Hankó qëndroi për disa orë në zyrën e tij në parlament. Më vonë, pasi mori zyrtarisht fletëthirrjen, u paraqit në qendrën e NAV-së në rrugën Huszti.
Autoritetet e arrestuan zyrtarisht dhe e transferuan në Kecskemét, ku u mor në pyetje për rreth pesë orë si i dyshuar për shpërdorim detyre që dyshohet se ka shkaktuar dëm veçanërisht të madh financiar.
Tashmë, vendimi i gjykatës pritet të përcaktojë nëse ish-ministri do të qëndrojë në paraburgim gjatë vijimit të hetimeve. Top Channel

