Nuk do të ketë debat të posaçëm për Shërbimin Informativ Kombëtar në Parlament. Socialistët refuzuan kërkesën e demokratëve për mocion me debat në Parlament. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve këmbënguli se Parlamenti nuk mund të dublojë SPAK dhe, aq më pak, të ndërhyjë në një çështje që tashmë është në duart e SPAK.
“Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Pafajësia ose fajësia e një zyrtari të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, tha Balla.
Kundërpërgjigjen Gazment Bardhi e dha edhe për mediat.
Kreu i grupit parlamentar demokrat sqaroi se nuk po kërkohet llogari drejtësisë, por Edi Ramës.
“Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta.
Krerët e dy grupeve parlamentare u përplasën dhe për qëndrimet e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, krah Edi Ramës”, tha Bardhi.
“Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi: “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet”, u shpreh Balla.
Demokratët kritikuan qëndrimet e Von der Leyen.
“Nuk është e çuditshme që ka partnerë ndërkombëtarë që, ndryshe nga realiteti që shohin dhe prekin shqiptarët, na servirin një konkluzion jo objektiv”, shtoi Bardhi.
Kërkesa e demokratëve për mocion me debat do t’i kalojë seancës plenare, por shumica parlamentare i ka votat që ta rrëzojë lehtësisht. Top Channel

